E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi: Nano foli si Berisha, PD kapitull i mbyllur

Ai thotë se karrierën politike do ta vazhdojë pas largimit nga posti i Presidentit të vendit, pasi siç shprehet, i është përkushtuar asaj, duke lënë jetën akademike.

Ai nuk i kursen më akuzat ndaj kryeministrit Berisha, duke e fajësuar fillimisht për çështjen e emërimit të ambasadorëve, siç është rasti i atij në Londër, ku vendi ynë nuk përfaqësohet me ambasador prej më shumë se një viti.

“Të lësh pa përfaqësim Londrën është pa dyshim një mungesë përgjegjësie e pafalshme, duke konsideruar rëndësinë e këtij vendi në politikën botërore dhe duke konsideruar se ndërkohë, Britania e zëvendësoi menjëherë ambasadorin, duke i dhënë shumë rëndësi marrëdhënieve me Shqipërinë. Kjo papërgjegjshmëri ka një emër konkret si përgjegjësi, kryeministrin. Pyetni atë si shpjegohet kjo papërgjegjshmëri e pafalshme”, thotë Topi për emisionin “Top Story”.

Topi flet edhe për kandidatin e vetëshpallur për President, Fatos Nano, i cili një javë më parë, kritikoi presidentin aktual për mos ushtrimin e plotë të kompetencave në një moment në ngjarjet e 21 janarit. “Më duhet të them se ndiej një lloj keqardhje sepse ai s’ka bërë gjë tjetër vetëm ka perifrazuar gjuhën e Berishës, duke dashur të jetë tërheqës, për të marrë mbështetjen e mazhorancës për të qenë në krye të shtetit. Më datë 20 janar, në mbrëmje, unë organizova një pritje të përvitshme në Pallatin e Brigadave me diplomatët si çdo vit të ri dhe duke parë klimën e tensionuar politike, unë kam dalë nga teksti i shkruar dhe bëra një apel të çastit duke i kujtuar forcave politike se në kushtet e një tensioni të lartë politik, duke e thënë përpara ambasadorëve, bëra thirrje për qetësi, maturi e bashkëpunim. Për fat të keq, apeli shkoi në vesh të shurdhër dhe në 21 janar ndodhi ajo që ndodhi”, u shpreh Topi.

 Presidenti në ikje, thotë gjithashtu, se çorba me kompetencat e kreut të shtetit, u bë në prill të vitit 2008 me ndryshimet kushtetuese pa u menduar mirë. “Dëshira e mazhorancës për të dominuar çdo pushtet e institucion sot është shndërruar në një vuajtje për çdo shqiptar.  Atëherë presidenti zgjidhej me 84 vota, edhe pse e bënë me 71, nuk e kanë shumë të qartë dhe të lehtë rrugën për ta zgjedhur me aq sot”, vijon.  Ai flet edhe për zgjedhjen e nënkryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, proces i cili nuk ka nisur ende dhe nuk dihet kur të mbyllet, pavarësisht se paraardhësi ka më shumë se dy muaj që kurse është larguar nga kjo detyrë.

Sipas tij, institucioni i KLD-së duke respektuar dhe nuk mund të lejohet që të ketë vakum institucional. “Nëse do të vazhdojmë me këtë mentalitet arkaik, me këtë lloj psikolgjie, vazhdon edhe amullia e diplomacisë, jo të “vijë presidenti tjetër që unë të bëjë propozimin për ambasador”. Sa kohë një person është në institucion ka të drejtën dhe përgjegjësinë deri në sekondat e fundit, ndërsa të drejtën e marrin përgjegjësinë e lënë kur të vijë tjetri”, shprehet ai. Topis sqaron se Presidenti zgjedh një nga anëtarët e trupës së lartë të drejtësisë, nëse vendoset nënkryetar ai ndërpret punën si gjyqtar. “Nga legjislativi vijnë 3 vetë, nga gjyqësori vijnë 9 vetë, por për shkak të përfaqësimit probabiliteti është 3/9. Transferimi i frymës politike shumë të tensionuar nga parlamenti në tryezën e KLD-së, nuk i bën mirë asaj tryeze”, vijon.

Ai shton se kandidati i propozuar prej tij për këtë post, do të shkojë në votim. “Këtu nuk kam mëdyshje. Çështja është nëse janë votat, nëse janë do të vazhdohet, nëse jo do të vazhdohet kjo situatë deri sa të vijë presidenti ri”, thuhet më tej. Gjithashtu, Topi thotë se pas përfundimit të mandatit si president do të kthet në politikë. “Nëse kthehem do kthehem si misionar për të realizuar atë që njerëzit kanë nisur të kenë frikë edhe për të folur, misioni për të folur haptas për të gjitha gjërat, këtë mundësi më të madhe me politikën direkt se sa kur je president. Unë shkova në presidencë pas një eksperience në parlament. Unë ndjehem i realizuar në karrierë. Dua të merrem me politikë që në Shqipëri të ketë standarde të larta të funksionimit të demokracisë”, vijon.

Kreu i Shtetit shprehet se Partia Demokratike është një kapitull i mbyllur, teksa sipas statutit të kësaj force politike, Topi është anëtar i përhershëm i saj. “E mbyllën ata që pritën ditën të më largojnë, qoftë me ngritjen në detyrë. Në jetën time asnjëherë nuk jam sulmuar më shumë se sa nga ata me të cilët kemi kaluar sfidat më të rëndësishme, disa të ardhur nga preferencat e kryetarit. Këtu gjërat janë të qarta, mos bëjmë sikur nuk i kuptojmë, gjërat janë të qarta sa më shumë kalon koha aq më shumë kthjellohen gjërat”, shton. Në fund, ai shprehet se do të jetë në zyrë për t’i dorëzuar Presidentit të ardhshëm detyrën e re. /S.Ll/Start/

                                                                                             2012-04-27 09:13
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›