E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi: Një Shqipëri të drejtë dhe një analizë të thellë!

Duke uruar të gjithë shqiptarët, kreu i shtetit rezervoi një urim të veçantë për ushtarakët shqiptarë me misione jashtë vendit.

“Me shumë respekt dhe mirënjohje ju ftoj të gjithëve të ndajmë urimin me ushtarakët tanë, të cilët ndodhen larg familjeve të tyre për të mbajtur lart flamurin shqiptar në misionin e tyre për paqe dhe demokraci si anëtarë të denjë të NATO-s!”, tha Presidenti.

 Më tej, Topi tha se viti 2012 është viti më i bukur historik, pasi përkujtohet 100 vjetori i shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. “Pavarësisë së Shqipërisë na bën sa krenarë, aq edhe përgjegjës përpara njëri-tjetrit. Urimi im për vitin jubilar të Pavarësisë sonë është një reflektim i thellë për të gjitha detyrimet që duhet të përmbushim për të ndërtuar, ashtu siç e meritojmë, një Shqipëri të fortë, demokratike dhe të drejtë”, theksoi më tej.

Presidenti i vendit u shpreh se viti 2012 është viti i përgjegjësive të mëdha. “Në vitin 2012, gjithë shqiptarët urojnë, ashtu si edhe unë, që të gjitha arritjet e deritanishme në procesin e afrimit me Evropën e Bashkuar të na nxisin të përballojmë së bashku sfidën dhe detyrimin madhor për të fituar statusin e vendit kandidat dhe përcaktimin e hapave të mëtejshme të anëtarësimit”, vijoi.

Sipas Topit, Shqipëria nuk duhet të vonohet asnjë çast në procesin e demokratizimit të saj. “Situata e përkeqësuar politike me pasojat e saj tepër negative për integrimin e vendit kërkon një analizë të thellë. Le të mbetet pjesë e padëshiruar dhe kujtim i keq i vitit që po lemë pas. Ecja përpara e vendit dhe përmirësimi i jetesës së qytetarëve nuk duhet të ndihen të rrezikuara në vitin e njëqindtë të formimit të shtetit shqiptar”, shtoi më tej. /S.Lleshi/Start/

                                                                                             2011-12-31 12:14
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›