Berisha në Pragë, në nderim të ish-presidentit çek, Vaclav Havel
Kryeministri Berisha rrugëtoi dje pasdite në drejtim të Republikës Çeke, në mënyrë që të jetë i pranishëm gjatë ditës së sotme në homazhet që zhvillohen në nderim të ish- presidentit çek, Vaclav Havel. Kryeministri do të marrë pjesë sot në ceremoninë e funeralit shtetëror që shteti çek bën në nderim të ish-presidentit Vaclav Havel. Ceremonia funerale do të zhvillohet në katedralen më të madhe të vendit, St. Vitus Cathedral, në Kështjellën e Pragës, në orën 12:00. Të pranishëm në këtë funeral shtetëror pritet të jenë zyrtarë të lartë botërorë, kryetarë shtetesh, përfaqësues të njohur të politikës dhe të fushave të tjera etj. Shefi i qeverisë shqiptare, në mesazhin e tij ngushëllues e ka cilësuar vdekjen e ish-presidentit Havel, si një humbje të madhe jo vetëm për kombin çek, por edhe për mbarë Europën, duke theksuar se ai nuk ishte vetëm një lider por shkrimtar i madh i lirisë. Ish-presidenti çek, Havel u nda nga jeta pak ditë më parë në moshën 75-vjeçare, pas një sëmundjeje të rëndë. Vaclav Havel ishte presidenti i parë dhe i vetëm postkomunist i Republikës Federative të Çekosllovakisë (1989-1992) dhe presidenti i parë i Republikës së Çekisë (1993–2003). Ish-dramaturgu i njohur, Havel është konsideruar si një prej disidentëve më të fortë antikomunistë në ish-bllokun lindor.