E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi: Nuk duhet të merremi me thashetheme, të plotësojmë 12 kriteret

TIRANE-Presidenti Bamir Topi kërkoi sot që ti jepet fund debateve rreth replikave me kryeparlamentaren Topalli. “Nuk duhet të merremi me thashetheme”, tha Topi i pyetur rreth replikave që kreu i shtetit ka shkëmbyer këto ditë me kryetaren e parlamentit.
Presidenti apeloi që politika të punojë me qëllim përmbushjen me seriozitet të 12 pikave të BE.

Dy ditë pas zhurmës së replikave, Presidenti Topi u nis sot në qytetin e Kuçovës ku takua dhe me kryetarin e Bashkisë Bardhyl Gjyzeli.
Kreu i shtetit njoftohet se do të marrë pjesë në ceremoninë e përurimit të bustit të gjeologut te shquar polak, Stanislav Zuber si dhe dekorimin e tij pas vdekjes.
Të pranishëm në ceremoni do të jenë edhe Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Aldo Bumçi, Ministri i Kulturës dhe Trashëgimisë Kulturore të Polonisë, Bogdan Zdrojeëski, Ambasadorja e Polonisë në vendin tonë, Irena Tatarzynska si dhe përfaqësues të pushtetit lokal të qytetit të Kuçovës.
Gjeologu i shquar polak Stanislav Zuber u ekzekutua nga regjimi komunist në vitin 1947.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›