Topi: Nuk e harroj kurrë fyerjen si horr bulevardi
-Presidenti deklaron se do i kthehet politikës dhe se ka një frymë për një forcë të re politike. Topi tha se inkurajon rotacionet dhe se mbështet parimin që askush të mos qëndrojë më shumë se dy mandate në detyrë
Presidenti Bamir Topi, duke folur në emisionin Tonight të Ilva Tares ka deklaruar sërish se ai nuk do jetë president në vitin 2012, por do i kthehet politikës. Topi tha se ka një frymë që kërkon një forcë të re politike, por nuk u shpreh më shumë duke thënë se respekton postin e tij.
Topi tha se inkurajon rotacionet dhe është në favor të përcaktimeve që të mos ketë më shumë se dy mandate.
Gjithmonë kam qenë inkurajues i rotacioneve. Në një vend si Shqipëria, ku ende ka tranzicion, gjithmonë ka nevojë për një qarkullim të elitave. Në SHBA mund të kesh qenë më i suksesshmi, por ke të drejtën vetëm për dy mandate. Unë inkurajoj këtë rotacion, deklarova me bindje se dikush do vijë në atë pozicion. Unë do veproja ndryshe nëse votimi do ishte në vullnetin e popullit. Nëse do kishte një mundësi të tillë, do e merrja në konsideratë, tha Topi.
Unë kam rastin të rishpreh edhe njëherë, nuk dëshiroj që gjatë periudhës që jam president të denatyroj rolin e presidentit. Unë për këtë jam betuar dhe deri në ditën e fundit do jem president i shqiptarëve. Unë e kam thënë që opsionet janë të ndryshme, por opsioni më probabël është që do i kthehem jetës politike. Ka një frymë që vjen tek unë përmes një dëshire, por unë hesht për shkak të pozicionit tim, tha Topi.
Topi ka deklaruar se ai ka vlerësim për të gjithë kolegët e tij. Ai tha se asnjë parti nuk vjen në pushtet me kontributin e vetëm kryetarëve. I takon gjithsecilit të bëjë një checkup për sjelljen e tij, për metamorfozën, tha presidenti.
Topi deklaroi gjithashtu se ai ka pasur oferta për të hyrë në kabinetin e kryeministrit Berisha në vitin 2005, por ka preferuar që të qëndrojë në krye të grupit parlamentar si një post i rëndësishëm politik. Pozicion unikal, kryetar grupi në opozitë dhe mazhorancë, tha Topi. Ai deklaroi se ofertat vinin nga Berisha. Kur refuzova qeverinë nuk kisha në mendje presidencën, tha kreu i shtetit.
I pyetur se përse Berisha e Rama mendojnë ndryshe për të tani, Topi tha: Unë nuk kam ndryshuar, u takon të tjerëve të thonë pse kanë ndryshuar. Topi tha se nuk ka pasur asnjë rast kur ka fyer kundërshtarin.
Pas ndryshimeve kushtetuese, presidenti tha se ndryshoi edhe sjellja e kryetarëve të partive, duke i bërë ata më autoritaristë. Kemi parë lista me preferenca, kjo ka rritur frymën autoritariste në parti. Deputetët nuk janë më me atë zërin e fortë që kanë pasur dikur. Nëse një deputet devijon nga fryma e grupit, rrezikon të përjashtohet. E kam për kudo, tha Topi.
Presidenti mohoi kategorikisht të ketë pasur negociata me njerëz të Berishës për rolin e tij pasi të lërë detyrën ose për një mandat të dytë.
Duke folur për 21 janarin, Topi tha se atë ditë kishte dhunë ndaj institucioneve, por edhe të vrarë. Ai tha se nuk e mblodhi Këshillin e Sigurisë pasi nuk kishte vullnet për të ardhur. Këshilli i Sigurisë mblidhet kur ka një vullnet për të ardhur. Çdo anëtar duhet të ketë predispozicionin, urtësinë për të diskutuar. Aktorët politikë nuk kishin vullnet, tha Topi.
I pyetur nëse do të pajtohej me Berishën, pasi ai është pajtuar edhe me Fatos Nanon, Topi tha: Unë nuk jam një njeri që kam një mbiemër tjetër, ose më shumë se një mbiemër. Kam individualitetin tim, kam një memorie të fortë dhe nuk harroj kollaj. Gjuha kocka nuk ka, por kocka thyen. Gjuha komandohet nga truri.
Presidenti tha se akuzat për puç shteti më 21 janar janë një absurditet. Është një thënie totalisht e papranueshme. Shqipëria është një vend me partnerë dhe qëndrimi realist ndaj kësaj ngjarje e kanë dhënë partnerët tanë më të rëndësishëm, tha Topi.
Presidenti rrëfeu edhe gjëra të tjera, ai tha se atij nuk i kanë dërguar asnjë propozim për falje të dënuarish. Sa i përket ligjit për plehrat dhe sulmit të Berishës, Topi tha se nuk merr në konsideratë deklarata emocionale.