Në kërkim të një Vaclav Haveli për Shqipërinë

Berisha ne Prage
Me një kamera të Televizionit Publik Shqiptar nga pas, kryeministri Sali Berisha ishte në ceremoninë e funeralit për ish- presidentin çek, Vaclav Havel. E shoqëronin gjithashtu diplomatët e ambasadës sonë në Pragë, që së fundmi janë nën akuzë sepse kanë trafikuar drogë me makinat e ambasadës.
Foli përpara kamerës së TVSH plot me vlerësime Sali Berisha, ai që dikur media amerikane e quante Vaclav Havelin e Ballkanit. Në një shkrim të Baltimore Sun, Berisha përshkruhej në vitin 1993 si një nga demokratët e paktë të vërtetë të Ballkanit. Gazetari e vlerësontë si një njeri të pashëm, që fliste një anglishte me një zë të kristaltë. Anglishten e kishte mësuar duke dëgjuar BBC-në ndërsa kulloste delet në male, shkruhet në shkrimin 25 qershorit 1993.
Por shumë shpejt, Berisha nisi të burgoste kundërshtarët, ti rrihte ata, të vidhte zgjedhjet e të çonte vendin në prag të luftës civile.
E atëherë, Nju Jork Tajms nisi të kërkonte një tjetër Vaclav Havel në vendin e varfër e të shkatërruar. Dhe në vitin 1997 gjeti Fatos Lubonjën, të cilin e quajti një Vaclav Havel të Shqipërisë. Për gazetarët amerikanë, Berisha tani ishte një komunist i pandreqshëm dhe i rrezikshëm. Pas shumë vitesh, Berisha është sërish në pushtet, Lubonja nuk flet kurrë kundër tij direkt, ndërsa Shqipëria është një vend pa heronj.
Deklarata e Berishës në Pragë
Sot, Vaclav Havel, u përcoll për në banesën e fundit në mënyrën më dinjitoze, me një ceremoni ndër më përfaqësueset që është zhvilluar
ndonjëherë. Kjo, sepse Vaclav Havel, ishte një nga çekët më të shquar të të gjitha kohërave, por ishte dhe një nga europianët më të shquar të të gjitha kohërave dhe një personalitet i vërtetë botëror. Presidenti Havel, përfaqëson intelektualin simbol, disidentë, i cili pasi çliroi veten e vet dhe e vendosi për disidencë, udhëhoqi disidencën Cekosllovake të asaj kohe dhe u bë një nxitës, inkurajues i madh për inteligjencën e vendeve ish-komuniste, për të dalë nga konformizmi.
Presidenti Havel, do të thosha se është, disidenti kryesor i botës intelektuale në vendet ish komuniste, që së bashku me Andrei Sakharov, nuk u larguan nga vendet e tyre, por ndanë fatin me qytetarët, ndanë persekutimin, burgjet dhe privacionet e mëdha me qytetarët e tyre.
E tërë vepra e tij letrare është një vepër, e cila fund e krye drejtohet kundër sistemit totalitar, por pas rënies së murit të Berlinit, presidenti Vaclav Havel, intelektuali Vaclav Havel, do të vijë në krye të lëvizjes së kombit të tij dhe në një hark kohor të shkurtër tre javor, do të realizonte me atë që u quajt “Revolucioni i Kadifenjtë” përmbysjen paqësore të regjimit komunist në Çekosllovaki dhe vendosjen e sistemit të ri.
Shqiptarët kanë humbur një nga miqtë me të mëdhenj të kohërave. Presidenti Vaclav Havel është autor i shumë veprave , i shumë shkrimeve, por në memorien time dhe të të gjithë shqiptarëve shkrimi i tij se, Unë jam shqiptar, në një kohë kur barbaritë serbe, po spastronin Kosovën nga banorët shqiptarë mijëra vjeçare të atij vendi, presidenti Havel u ndie shqiptar dhe mbështeti fuqishëm çlirimin e Kosovës. Humbja është vërtet e madhe, por shumë herë më madhe është trashëgimia që ai lë, për kombin e tij dhe për të gjithë njerëzit që duan dhe besojnë në lirinë dhe vlerat e saj.
Bota gjithnjë ka nevojë të inspirohet nga personalitete si Vaclav Havel. Gjithnjë ka nevojë që dashuria dhe e vërteta të mbizotërojnë mbi gënjeshtrën dhe urrejtjen. Bota gjithnjë ka nevojë, që pushteti, qeveria, të bëjë gjithçka për të ruajtur zemrën e dhimbsur, fytyrën njerëzore, si detyrimi më madhor i saj për të çuar përpara një shoqëri.