E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi: Nxis dhe mbështes rotacionin. Ky vit jubile të na shërbejë për reflektim për gabimet

Share

Presidenti Bamir Topi ka deklaruar në pritjen e organizuar për Trupin Diplomatik të akredituar në vendin tonë se ai mbështet rrotacionin politik.

Viti 2012 mbart një specifikë të veçantë për Shqipërinë dhe popullin shqiptar, pasi përkon me 100-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë dhe krijimit të shtetit shqiptar. Sfida jonë kryesore është nderimi i merituar i këtij viti jubilar përmes marrjes së statutit të vendit kandidat në Bashkimin Evropian dhe forcimin e demokracisë funksionale, si një garanci për stabilitet demokratik afatgjatë. Prej pesë vitesh kam nderin ti shërbej vendit tim në detyrën e Kryetarit të Shtetit. Gjatë këtij viti, Shqipëria do të ketë zgjedhjet e reja presidenciale, dhe unë, konfirmoj edhe njëherë se vazhdimisht kam nxitur e mbështetur modelin e rrotacioneve demokratike në krye të institucioneve, çfarë i jep frymëmarrje demokracisë, rrit besimin publik tek institucionet dhe mbetet nevojë për vende si Shqipëria, të cilat kanë dalë nga sisteme totalitare të izoluara dhe kanë një tranzicion të gjatë e të vështirë, tha Topi.

Presidenti tha se është mirë që ky 100 vjetor të shërbejë për reflektim.

Në kuadër edhe më të gjerë, mendoj se shoqëria shqiptare ka nevojë për një reflektim pozitiv ndaj problematikës së tranzicionit, forcimit të komponentit të dialogut konstruktiv e serioz politik, ecje në drejtim të forcimit integral të institucioneve kushtetuese dhe plotësimit konsensual të të gjitha detyrimeve që klasa politike ka ndaj qytetarëve dhe ndaj kritereve të anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Zhvillimet pozitive të muajve të fundit në drejtim të dialogut politik janë shenja pozitive. Ato erdhën pas një periudhe të gjatë konfliktualiteti politik, që dëshmoi qartësisht nevojën jetike për kalimin nga institucionet e brishta demokratike dhe në një demokraci funksionale e të qëndrueshme, një politikë të re në vizion, mentalitet e sjellje. Në këtë fazë të dialogut politik inkurajimi im mbetet shndërrimi i kësaj klime në normalitet demokratik dhe me rezultate konkrete në funksion të detyrimeve kushtetuese dhe interesave madhore të vendit, u shpreh presidenti.

Ky jubile historik është një rast i mirë për të gjithë popullin shqiptar, për shoqërinë qytetare dhe politike, për institucionet dhe aktorët e tjerë publikë, – për të reflektuar mbi gabimet e ardhura nga mungesa e përvojës apo mbipushteti i partive politike në raport me shoqërinë, dhe kështu, për të dhënë një shembull inkurajues përgjegjshmërie e reformash demokratike, si detyrim madhor ndaj qytetarëve, brezave të shkuar dhe atyre të ardhshëm. Shqipëria solide, demokratike, e integruar dhe qytetare është Shqipëria që ideuan themeluesit e shtetit 100 vjet më parë. Kjo është Shqipëria e shekullit të XXI!

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›