E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi: Palët të shmangim deklaratat e parakohshme

18/01/2012  Presidenti Topi priti dje kreun e Delegacionit të Bashkimit Evropian Etore Sekui

“Të mos merren me deklarata të parakohshme, të punojnë për integrimin në BE”

Një ditë pas debatit për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit mes krerëve të grupeve parlamentare në seancën e plenare të së hënës, ka ardhur reagimi i Presidentit të Republikës. Presidenti Topi u bëri thirrje dje partive politike që të mos merren me deklarata të parakohshme dhe të panevojshme, por të punojnë së bashku për integrimin e vendit në Bashkimin Europian. Deklaratën e tij Presidenti e bëri gjatë takimit të djeshëm që zhvilloi me kreun e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë, Etore Sekui, me të cilin diskutoi rreth zhvillimeve të fundit politike në vend si dhe për ecurinë e procesit integrues evropian të Shqipërisë. Zyra e shtypit e Presidencës në njoftimin e saj thekson se në këtë takim “kreu i shtetit theksoi domosdoshmërinë e vazhdimit të dialogut politik institucional për realizimin e reformave të nevojshme, shmangien e debateve të panevojshme e të parakohshme, si dhe përmbushjen e kritereve që do të mundësonin bërjen pjesë dhe zyrtarisht të Shqipërisë në familjen e madhe evropiane”. Ndërsa shefi i Delegacionit të BE-së në Tiranë, ambasadori Sekui, gjatë bisedës me kreun e shtetit nënvizoi rëndësinë e vazhdimësisë së reformave të ndërmarra dhe të dialogut konstruktiv mes forcave dhe aktorëve politikë për të ardhmen integruese evropiane të vendit tonë. Të hënën në debatin parlamentar opozita i kushtëzoi votat e saj për miratimin e ligjeve që kërkojnë shumicë të cilësuar votash me zgjedhjen e presidentit në qershor, që sipas kreut parlamentar socialist Gramoz Ruçi duhet të bëhet me 3/5-at e votave në Kuvend.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›