E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi: Partitë mbajnë përgjegjësi për mbarëvajtjen e zgjedhjeve

08/03/2011  Presidenti uron të gjithë mësuesit me rastin e 7 Marsit

“Zgjedhjet vendore të organizohen sipas standardeve demokratike”

Presidenti Topi zhvilloi një takim me zëvendëspresidenten e Institutit Demokratik Kombëtar Amerikan (NDI) Shari K. Brajan dhe drejtorin rajonal për Evropën Qendrore dhe Lindore të këtij Instituti, Robert Benxhamin. Gjatë takimit bashkëbiseduesit theksuan rëndësinë e zgjidhjes të shpejtë të mosmarrëveshjeve politike mes mazhorancës dhe opozitës, si dhe u bënë thirrje atyre për ruajtjen e qetësisë për zhvillimin me sukses e sipas standardeve demokratike të zgjedhjeve vendore të 8 majit. Në fjalën e tij Presidenti Topi u shpreh se “edhe në këto zgjedhje vendore partitë politike duhet të mbajnë përgjegjësitë jo vetëm në drejtim të përgatitjes së infrastrukturës zgjedhore, por dhe të organizmit së fushatës zgjedhore dhe zhvillimit të zgjedhjeve sipas standardeve më demokratike”. Zonja Brajan dhe zoti Benxhamin e siguruan kreun e shtetit se do të vazhdojnë të japin kontributin dhe përvojën e tyre institucionale në dobi të realizimit me sukses të të gjitha aktiviteteve të ardhshme të institutit amerikan në vendin tonë. Nga ana e tij kreu i shtetit shprehu mirënjohjen për kontributin konkret dhe të specializuar që ky “organizëm i rëndësishëm dhe me famë botërore, i krijuar në vendin kampion të demokracisë”, ka ofruar vazhdimisht nëpërmjet programeve të ndryshme për zhvillimin e shoqërisë shqiptare sipas standardeve demokratike perëndimore.

Urimi për mësuesit

“Ju keni një mision fisnik të jashtëzakonshëm, që merr një rëndësi edhe më të madhe në vendin tonë, që siç dihet ka një popullsi me moshë mesatare të re. Ju edukoni rreth 1/4 e popullsisë që ulet çdo ditë në bankat e klasave tuaja, prej nga marrin dijet që do t’i përgatitin për një të ardhme gjithnjë e më të mirë. Sot, kur Shqipëria më shumë se kurrë dëshiron të jetë pjesë e familjes europiane, me standardet e saj demokratike e pse jo edhe pedagogjike, roli juaj bëhet më jetësor”, - iu drejtua Presidenti Topi gjithë mësuesve të vendit me rastin e festës së 7 Marsit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›