E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha fton Ramën për zgjedhjet lokale

08/03/2011  Kryeministri mbledh grupin parlamentar të PD-së

Dy muaj para zhvillimit të zgjedhjeve vendore të 8 majit Kryeministri Sali Berisha ftoi liderin e opozitës Edi Rama të marrë pjesë në to, sipas përcaktimeve që bën Kushtetuta dhe Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë. Gjatë mbledhjes së djeshme të grupit parlamentar të Partisë Demokratike kreu i saj theksoi se fushata elektorale, e nisur “de facto” nga PD-ja, do të jetë për qytetarin dhe problematikën e tij. “E ftoj zotin Rama të lexojë mesazhet e qytetarëve shqiptarë, por edhe të miqve të Shqipërisë në Evropë dhe në botë. Këto mesazhe janë: zgjedhje lokale janë një provë e qëndrimit ndaj lirisë të forcave politike shqiptare dhe të qytetarëve shqiptarë. Sa rri dhe gjen eskimezë apo arabë në fshatin tim, më mirë të merret e të zbatojë ligjet dhe procedurat konsensuale. Se në zgjedhjet e kaluara i gjetën nja 4 eskimezë atje, tani thotë janë dhe 4 arabë që do të votojnë. Sa merret me shpifje të tilla, më mirë të zbatojë ligjet dhe rregullat që janë votuar konsensualisht në Parlamentin shqiptar. Por ato 4 vota do t’ia zbresim”, - theksoi Berisha në fjalën e tij. Kryeministri Berisha garantoi gjithashtu se çdo qytetar shqiptar do të votojë me infrastrukturën më moderne, se vota e tyre do të ketë sistemin më modern të numërimit, se çdo votë do të respektohet dhe se vullneti i çdo qytetari do të respektohet. Mesazhi që ai synoi të përcillte përmes deputetëve drejt strukturave të partisë lidhej me përqendrimin gjatë fushatës elektorale te qytetari dhe familja e tij. “Kjo është politika më e mirë që ne mund të bëjmë dhe duhet të bëjmë. Në këtë fushatë elektorale mesazhet tona, përqendrimi ynë, projekti ynë ka në epiqendër qytetarin, familjen e tij, komunitetin, problematikën, fshatin, lagjen, bashkinë, shkollat, rrugët, kanalizimet, rrugicat, gjelbërimin, pastrimin, potencialet zhvillimore. E theksoj këtë sepse në mënyrë të qartë është e domosdoshme që ne të kemi të përgatitur në këto zgjedhje projektin vendimtar të Shqipërisë vend i zhvilluar”, - deklaroi kreu i qeverisë. Duke nënvizuar konceptin e PD-së, sipas të cilit nuk ka Shqipëri të zhvilluar pa zhvillim të qëndrueshëm, Berisha kërkoi regjistrimin në të gjithë territorin e vendit të problematikës, me qëllim përgatitjen e përgjigjeve më të merituara. “Ne kemi vështirësi, por jo të meta. Dua të garantoj qytetarë e vendit aty ku janë se do të përparësohen në proporcion me nevojat e tyre”, - vijoi numri një i PD-së.

Tenderi

Kryeministri Berisha njoftoi për hapjen e tenderit për ndërtimin e rrugës Lushnjë–Berat. “Është e domosdoshme që duke ecur drejt boshtit të Jugut të rindërtojmë rrugën Lushnjë–Berat. Ministria e Punëve Publike ka marrë porosi që ta ndajë në lote, në mënyrë që kjo vepër e rëndësishme të përfundojë në kohën më të shkurtër të mundshme”, - tha ai.

7 Marsi

Me rastin e Ditës së Mësuesit kreu i qeverisë priti në një takim të veçantë në ambientet e Pallatit të Brigadave mësues e pedagogë nga e gjithë Shqipëria. Ai tha se arsimi dhe reformimi i tij ka qenë dhe mbetet prioriteti kryesor i kësaj qeverie. “Në një hark kohor të shkurtër ia dolëm të dyfishojmë rrogat për mbi 40 mijë mësues, të ndërtojmë dhe rindërtojmë mbi 1200 shkolla”, - deklaroi Berisha.

Bajpasi i Shkodrës

Qeveria ka planifikuar të prokurojë bajpasin e Shkodrës, të nisur fillimisht si një autostradë, por që është konceptuar si vepra shpëtimtare e qytetit të Shkodrës nga përmbytjet. “Së bashku me argjinaturën e lumit Kir dhe disa ndërhyrje që mund të bëhen në derdhjen e Drinit në Bunë, pas përfundimit të bajpasit qyteti vetë nuk do të njohë më përmbytje”, - nënvizoi kreu i qeverisë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›