E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi: Pezullimi i demostratave, për uljen e tensioneve

Kreu i shtetit Bamir Topi ka zhvilluar ditën e sotme dy takime me delegacionin e posaçëm të Bashkimit Evropian të kryesuar nga zoti Miroslav Lajçak, në të cilën është diskutuar rreth situatës dhe klimës së rënduar politike të krijuar në vendin tonë, sidomos pas ngjarjeve tragjike të 21 janarit. Gjatë takimit, është diskutuar rreth mundësive për të gjetur një rrugëzgjidhje të menjëhershme nga kjo situatë, që përveç të tjerash dëmton rëndë edhe imazhin ndërkombëtar të Shqipërisë.

“Në përputhje të plotë edhe me qëndrimet dhe me mesazhet e vazhdueshme të partnerëve dhe miqve tanë ndërkombëtarë, ritheksova qëndrimin institucional se dialogu konstruktiv, i maturuar dhe me tone të qeta e të civilizuara mes palëve është rruga e vetme e domosdoshme drejt zgjidhjes së mosmarrëveshjes politike dhe garanti i stabilitetit, i funksionimit normal të shtetit ligjor si dhe respekti i plotë për institucionet në vend”.

Ndër të tjera, presidenti i Republikës ka kërkuar që klasa politike shqiptare të gjejë e të verë në përdorim të gjithë mekanizmat ligjorë e demokratikë për të dalë nga kjo situatë problematike në interes të Shqipërisë dhe të shtetasve të saj, kjo për të siguruar qetësinë dhe stabilitetin e duhur për vendin dhe shoqërinë shqiptare në realizim të projekteve dhe të ardhmes evropiane.

Për këtë, Topi ka sugjeruar se pezullimi i përkohshëm i çfarëdolloj demonstrate apo tubimi publik do të kontribuonte ndjeshëm në uljen e tensionit si dhe mundësimit të hapësirave të duhura për institucionet e pavarura të drejtësisë, që të zhvillojnë një hetim tërësor, transparent, të paanshëm dhe profesional. Nga ana tjetër, duhet që për stabilizimin e menjëhershëm të situatës, si mazhoranca ashtu edhe opozita të gjejnë vullnetin e duhur politik dhe individual e të rivendosin menjëherë dialogun politik institucional.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›