E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjermania: Kufijtë e Ballkanit nuk do të ndryshojnë

Kufijtë në Ballkan janë vendosur dhe ne refuzojmë qartë disa ëndrra politike për ndryshimin e tyre.

Kush luan me kufijtë në Ballkan, humb shanset e të ardhmes së rajonit në Europë, u shpreh deputeti gjerman Rainer Stinner i shoqëruar me duartrokitje në sallën e parlamentit.

“Çfarëdolloj përpjekje nga çfarëdolloj pale për të ndryshuar kufijtë në Ballkan, qofshin ëndrra shqiptare që ndonjëherë dalin në dritë, qofshin iniciativa serbe, ne i refuzojmë kategorikisht”, tha deputeti gjerman Rainer Stinner në fjalën e tij në Bundestag.

Stinner kërkoi gjithashtu një qëndrim të njësuar të Bashkimit Europian në çështjen e statusit të Kosovës nga pikëpamja e së drejtës ndërkombëtare.

Të njëjtin qëndrim përkrahën edhe politikani demokristian, (CDU) Peter Beyer dhe deputeti i të gjelbërve, Omid Nouripour.

Nga të 27 shtetet e Bashkimit Europian, Spanja, Greqia, Sllovakia, Rumania dhe Qipro nuk e kanë njohur ende Kosovën./Indeksonline/

Përgatiti: E.L

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›