Poli i djathtë, Ngjela: Koalicion me PDK-në e LZHK-në
Deputeti, Spartak Ngjela, tha se së shpejti do të krijohet një koalicion i ri me PDK-në e LZHK-në
TIRANË- Deputeti, Spartak Ngjela, paralajmëron një lëvizje të re brenda së djathtës. Ai konfirmon zërat e shumtë brenda mazhorancës për domosdoshmërinë e një koalicioni të djathtë, por jo në një çadër me kryeministrin Sali Berisha. Në një deklarim për “Shekulli”-n, Ngjela tha se pjesë e këtij koalicioni, do të jenë dy partitë që kanë qenë jo pak kritike ndaj politikave të qeverisë, PDK-ja dhe LZHK-ja. I pyetur për një koalicion të mundshëm në të ardhmen me PDK-në, apo dhe me LZHK-në, Ngjela u përgjigj: “Mendojmë të përfshihet PDK-ja, LZHK-ja dhe parti të tjera, duke krijuar kështu një poltë djathtë”. Vetë Ngjela do të jetë në krye të një partie të re, që do të zyrtarizohet brenda këtij muaji. “Partia ime është në formim e sipër. Kam mbledhur firmat. Do të mbledh asambletë e qarqeve. Partia është duke u strukturuar dhe besoj se për 20 ditë do të bëj mbledhjen e parë në një sallë të madhe në Tiranë”, - tha ai. Ngjela është shprehur prej kohësh se, partia “Ligj dhe Drejtësi” do të ngrihet mbi principe të qarta dhe ka si qëllim “ringjalljen e besimit të shqiptarëve për daljen nga gjendja e paralizuar ku ndodhen”. Menjëherë pas konstituimit të partisë së tij, Ngjela pritet që të angazhohet në lëvizjen surprizë, pikërisht në fillimin e negociatave me dy partitë e tjera, LZHK-në e PDK-në, për krijimin e një koalicioni të djathtë, që pritet të ketë një qëndrim të ndryshëm nga koalicioni qeverisës. Në fakt, pjesë e këtij koalicioni qeverisës formalisht është edhe PDK-ja. Edhe pse drejtues të lartë të kësaj partie, nuk janë shprehur në asnjë mbledhje strukturash apo forumesh se janë larguar nga koalicioni qeverisës, veprimet dhe qëndrimet e tyre politike kanë vërtetuar të kundërtën. Mbi të gjitha, faktin se ata e shohin të pamundur një bashkëpunim me kryeministrin Sali Berisha. Ndërsa LZHK-ja, prej kohësh është shprehur se do të dalë e vetme ose në një koalicion tjetër, por jo me Berishën në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Drejtuesi i LZHK-së, Dashamir Shehi, është shprehur se deri më tani politikat e qeverisë Berisha nuk kanë qenë aspak të djathta, duke shkuar gjithnjë majtas. Ndaj, Shehi, ka paralajmëruar se do të krijojë koalicion me ato parti që, në thelb të programit, por edhe angazhimit të tyre, do të kenë pikërisht politikat e djathta. Deputeti Ngjela tha se dy partitë kërkojnë të bëjnë një kod të njëanshëm
Ngjela: Futja në grevë? S’e pashë të arsyeshme
TIRANË- Deputeti, Spartak Ngjela, deklaroi dje se nuk e kishte parë të arsyeshme hyrjen në grevën e urisë, ashtu siç bënë deputetët e tri partive dhe pikërisht LSI-ja, PDK-ja dhe PS ’91. Në një prononcim për “Shekulli”-n, Ngjela ka sqaruar edhe firmën e hedhur në letrën e dërguar Presidentit të Republikës, Bamir Topi, ku ndër të tjera paralajmëronte edhe futjen në grevë, por që në fakt nuk ndodhi.“Unë kam nënshkruar një letër që i drejtohet Presidentit, për të siguruar një takim me Presidentin, sepse konstatova se kishte një shkelje të Kushtetutës, përkatësisht neni 18 i saj, në lidhje me barazinë ndaj ligjit. Këta kërkojnë të bëjnë një kod elektoral të njëanshëm, në mënyrë që të krijojnë pushtete të njëanshme dhe unë e nënshkrova. Përsa i përket grevës së urisë, ajo është një vendim që kanë marrë dy ose tri parti. Unë për veten time nuk e pashë të arsyeshme, ose njëherë për njëherë, për të hyrë në grevën e urisë. Por e respektoj dhe jam aktiv për të vijuar këtë lloj proteste”, - tha Ngjela. Pyetjes se sa rezultat do të sillte ky aksion i ndërmarrë nga këto parti, Ngjela iu përgjigj se kjo varet nga fakti sesa mbështetje do të arrijë të ketë kjo nismë tek qytetarët. “Në qoftë se njerëzit do ta përkrahin, ajo patjetër që do të sjellë rezultat, nëse palët janë të vendosur dhe ngulin këmbë në shkeljen e tyre dhe njerëzit nuk do t’i lënë, atëherë njerëzit do të shpëtojnë nga një zgjedhë, por nëse njerëzit nuk do të jenë aq të vëmendshëm sa të kuptojnë se me këtë rast ata kanë mundësi që të heqin nga qafa një zgjedhë, është çështje tjetër,” - u shpreh deputeti Ngjela.