Lejet me lekë, shkarkohen krerët e burgut të Shënkollit
SHËNKOLL- Shkarkim i beftë i krerëve të burgut të Shënkollit në Lezhë, ku vuajnë dënimin rreth 700 të burgosur. Ka qenë një shkresë e dërguar me urgjencë nga ana e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve që ka sjellë shkarkimin masiv të drejtuesve më të lartë të këtij burgu si dhe të disa shefave të tjerë, por jashtë largimeve nuk mbetën edhe magazinierë apo infermierë. Mësohet se janë liruar nga detyra drejtori i këtij burgu, Islam Ismaili, nën/drejtori Kastriot Piroli, shefi i ushqimit, shefja e psikologjisë, S. Bundo, disa edukatorë dhe psikologë. Po ashtu, janë dhënë vërejtje dhe masa paralajmëruese me pushim nga puna për shefa të tjerë, për farmacisten B. Prenga dhe një numër të konsiderueshëm të pjesëtarëve të tjerë të shërbimit të brendshëm.
Në urdhrin që njofton këto masa drastike ndaj drejtuesve dhe një pjese të personelit të burgut të Shënkollit thuhet se të gjitha këto masa janë marrë pas kontrolleve të ushtruara në këtë burg, ku janë konstatuar shkelje të rënda ligjore si vjedhje, shpërdorim detyre, korrupsion, e çrregullime të tjera të rënda. Edhe pse nga drejtuesit e shkarkuar të burgut është tentuar që këto masa të mbahen sa më larg vëmendjes së medias, kanë qenë persona të brendshëm të burgut ata që kanë pohuar shkarkimet.Përpos masave ndëshkuese me largim nga detyra, për ata që kanë shkelje monetare, janë dhënë dhe masa administrative, ndër të cilët edhe për magazinierin e burgut, ndërkohë që ende nuk bëhet e ditur nëse do të ketë procedime penale, pasi nga ana e prokurorisë së Lezhës, në një prononcim për “Shekullin” thuhet se deri më tash, shkarkimet si masa administrative vetëm sa janë dëgjuar nëpër korridoret e prokurorisë dhe nuk ka ndonjë denoncim të adresuar.
Duket se “tërmeti” në burgun e Shënkollit ndodhi pas investigimit prej organeve të specializuara të hetimit dhe të antikrimit ekonomik, ku mësohet të jenë evidentuar një sërë shkeljesh të rënda me dhëniet e lejeve, vjedhje në normat e ushqimit etj. Bëhet e ditur se informacionet e para, organet e hetimit i kanë siguruar nga vetë të burgosurit, pasi janë shkruar letra të tëra me akuza të rënda, që u adresohen drejtuesve dhe një pjese të personelit të atyshëm, letrat e të burgosurve i janë drejtuar Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, Ministrit të Drejtësisë, Avokatit të Popullit por dhe medias. Mund të përmendet një letër e tillë e një të burgoosuri nga Kimza e Pukës, Florian Çupi, i cili u është drejtuar autoritevet të larta të drejtësisë, për shqetësimet që ata kishin dhe padrejtësitë që u bëhen hapurazi të burgosurve si dhe korrupsionit të llahtarshëm që lulëzonte në atë burg. Po në orët e vona të mbrëmjes së djeshme u bë me dije se drejtori i ri i burgut të Shënkollit do të jetë 27-vjeçari Vladimir Miri nga Laçi, me profesion jurist.