E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi: Respektoni institucionet, rikthejuni dialogut

Këto zhvillime kanë pushtuar jo vetëm diskursin politik, publik, shoqëror, por edhe mendjet e qytetarëve shqiptarë, të cilët aspirojnë vlera demokratike e europiane

Kreu i Shtetit, Bamir Topi, vuri dje në dukje se duhen respektuar institucionet e pavarura kushtetuese dhe se duhet hequr dorë nga retorika e ashpër, për t’iu rikthyer dialogut konstruktiv politik e institucional, duke u përgatitur e zhvilluar sipas standardeve zgjedhjet e ardhshme vendore të 8 majit 2011. Këtë qëndrim, presidenti e shpalosi gjatë takimit me përfaqësuesin e Komunitetit të “Sant’ Exhidios”, Imzot Vinçenco Palian, me rastin e njëzetvjetorit të ardhjes për herë të parë në vendin tonë. Gjatë bisedës së zhvilluar, mes dy personaliteteve, u diskutua për zhvillimet e fundit dhe situatën në Shqipëri, që ka ngjallur shqetësim jo vetëm te qytetarët shqiptarë, por edhe te dashamirësit e vendit tonë kudo. “Këto zhvillime kanë pushtuar jo vetëm diskursin politik, publik, shoqëror, por edhe mendjet e qytetarëve shqiptarë, të cilët aspirojnë vlera demokratike e europiane të sjelljes dhe përgjegjësisë politike, shtetërore dhe institucionale”, nënvizoi Topi. Nga ana e tij, Imzot Vinçenco Palia vlerësoi rolin e ekuilibruar dhe moderator, të dëshmuar nga Kryetari i Shtetit në këtë situatë dhe nënvizoi rëndësinë e përballimit së saj me maturi dhe përgjegjshmëri, duke ritheksuar domosdoshmërinë e vendosjes së dialogut konstruktiv mes palëve politike dhe gjetjen sa më të shpejtë të zgjidhjes institucionale, që do t’i shërbente më së miri edhe aspiratës integruese të Shqipërisë në familjen europiane. Presidenti Topi dhe Imzot Palia diskutuan edhe për situatën në Ballkan, duke theksuar se rajoni ynë tashmë ka fituar një paqe dhe qëndrueshmëri dhe të gjitha vendet e tij janë të projektuara qartë drejt integrimit në strukturat euro-atlantike. Në këtë pikë, Imzot Palia vuri në dukje rolin e rëndësishëm dhe pozitiv të Shqipërisë dhe faktorit shqiptar në rajon në drejtim të ruajtjes dhe forcimit të qëndrueshmërisë dhe bashkëpunimit mes të gjithë vendeve dhe popujve të rajonit tonë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›