E Shtunë, 31 Tetor 2026

Deputetët e PS-së mbledhin gratë kundër Berishës

TIRANË- Deputetet e Partisë Socialiste janë angazhuar në një fushatë të ethshme, nga të gjitha qarqet, për t’u mbledhur në Tiranë më 8 mars, kundër Kryeministrit Sali Berisha. Në Durrës, deputetet Klodiana Spahiu dhe Ermonela Felaj komunikuan me gratë durrsake, arsyet pse sot gratë duhet të protestojnë kundër Sali Berishës, nën sloganin “Gratë, sot më shumë se kurrë”. Deputetja Spahiu tha se është faji i Kryeministrit që gratë vuajnë varfërinë ekstreme dhe papunësinë. “Në datën 8 mars, të gjithë ne gratë do të protestojmë për të drejtat tona, në orën 11:00 në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Jeni të ftuara të protestoni për gjithçka ndaj këtij regjimi totalitar. Jeni të ftuara të protestoni për gjithçka që na ka mbytur, për këtë korrupsion, për këtë rritje çmimesh, për të gjitha këto padrejtësi që i bëhen grave tona”, - tha Spahiu. Ndërsa deputetja e qarkut të Beratit, Ermonela Felaj, u shpreh se është faji i Kryeministrit që fëmijët keqpërdoren nga pushteti, dhe se 26 shqiptarë humbën jetën në Gërdec, e 4 të tjerë u vranë më 21 janar. “Është shumë e rëndësishme, që në datën 8 mars, të gjitha gratë e Shqipërisë, më shumë se kurrë, të protestojmë ndaj një qeverie që i injoron njerëzit në Shqipëri, i konsideron njerëzit sikur nuk kuptojnë, sikur nuk dëgjojnë, sikur nuk shohin. Besoj se ju do jeni atje bashkë me ne, në orën 11:00, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, - tha Felaj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›