E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi: SHISH e policia të kenë kujdes me zgjedhjet

Pak ditë para zgjedhjeve parlamentare, kreu i shtetit lëshoi apelin e fundit për forcat politike. Presidenti Bamir Topi zhvilloi dje një takim me të gjithë drejtuesit e institucioneve kushtetuese në vend. Të pranishëm ishin: kreu i Gjykatës Kushtetuese, kreu i Gjykatës së Lartë, kryeprokurorja, avokati i popullit, drejtori i përgjithshëm i Policisë, kreu i KLSH-së, ai i ILDKP-së etj. Në mënyrë të qartë Topi u ka kërkuar drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit dhe kreut të SHISH-it të mos ndërhyjnë në procesin zgjedhor të 28 qershorit, por të japin kontributin e tyre ligjor, me qëllim që gjithçka të realizohet sipas ligjit dhe standardeve të kërkuara. "Dëshiroj të ftoj edhe njëherë të gjithë përfaqësuesit e nderuar që janë në këtë tavolinë, të ushtrojnë në maksimum detyrat dhe detyrimet e tyre, të garantojnë për publikun, të garantojnë për çdo lloj institucioni qetësinë e nevojshme për ushtrimin e të gjitha detyrimeve kushtetuese që ka çdo institucion dhe çdo qytetar i thjeshtë", u shpreh Presidenti. Duke prekur edhe incidentet më të fundit të ndodhura gjatë kësaj fushate elektorale, Topi tha se pavarësisht nga episodet e pakëndshme, të cilat na kanë shqetësuar të gjithëve, shpresoj që kjo javë të demonstrojë që të gjithë janë të përgjegjshëm, janë në lartësinë e detyrës që po realizojnë dhe mbi të gjitha, të gjithë duhet të sintetizohen në një pikë, që zgjedhjet në datën 28 qershor të rrisin ndjeshëm seriozitetin e shtetit shqiptar. Duke iu drejtuar të pranishmëve në takim, kreu i shtetit u kërkoi që të ushtrojnë përgjegjësitë e tyre në mënyrë profesionale. "Secili nga ju këtu mbulon një veprimtari të rëndësishme. Unë nuk dëshiroj të paragjykoj nëse do të ketë episode kontestuese gjithmonë mbi bazën e ligjit, te Kolegji Zgjedhor, te prokuroria apo te gjykata. Dëshiroj që gjithçka të shkojë në mënyrë perfekte, por, gjithsesi, meqenëse mundësinë e kontestimit e parashikon Kushtetuta, e parashikon ligji, juve duhet të jeni të vëmendshëm të ushtroni përgjegjësitë tuaja me shumë profesionalizëm, me shumë motivacion dhe me shumë dashuri", porositi Topi. Kreu i shtetit kërkoi që institucionet kushtetuese të mos ndërhyjnë te qytetarët për çështjen e votës, duke i lënë ata të hedhin në kuti më 28 qershor verdiktin e tyre. Më tej, Topi kërkoi nga partitë politike që të tregojnë korrektësi, sidomos në ditën e zgjedhjeve. "Pavarësisht se kush do të jetë fituesi apo humbësi, rregulli i demokracisë kërkon që pushtetet politike të bashkëpunojnë dhe të japin një mesazh shumë të thjeshtë për qytetarin, që dita e zgjedhjeve nuk është një ditë betejash. Dita e zgjedhjeve, për një vend demokratik, për një vend europian, një vend i cili aspiron që të jetë shumë shpejt në Bashkimin Europian, të jetë ditë feste", theksoi Topi. Më tej, kreu i shtetit u kujtoi drejtuesve të lartë të institucioneve kushtetuese se këto zgjedhje do të shërbejnë si gur prove për nivelin e demokracisë në vendin tonë. Kjo, tha Topi, është prova e parë që vendi ynë duhet të kalojë pas anëtarësimit me të drejta të plota në NATO, e cila është një përgjegjësi e jashtëzakonshme politike dhe institucionale. Topi nënvizoi se më 28 qershor do të jepet testi i demokracisë. Dhe prova e dytë, tha ai, ka të bëjë me shërbimin e thjeshtë për çdo qytetar për lëvizjen e lirë të tyre, nëse kjo nuk realizohet lëvizja e lirë rrezikohet të arrihet. Presidenti u kujtoi krerëve të institucioneve kushtetuese se janë gjithmonë nën vëzhgimin e Europës. "Europa vështron me shumë kujdes. Nëse këto zgjedhje do të shkojnë ashtu siç ne presim dhe nëse arrihet, gjithçka do të shkojë në mënyrë shumë natyrale drejt procesit të liberalizimit të vizave. Dhe këtë s‘ka nevojë ta premtojnë partitë", theksoi Topi.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›