E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi: Shqipëria do të jetë pjesë e tregut rajonal

07/10/2009  Zhvillohet forumi ekonomik shqiptaro-çek “Ndërtimi i urave të reja ekonomike”

Kreu i shtetit shqiptar kërkon riaktivizimin e linjës ajrore direkt Pragë-Tiranë

Presidenti i Republikës ka vlerësuar para biznesmenëve çekë mundësitë që ka Shqipëria për të qenë pjesë e një tregu rajonal, çka nënkupton krijimin e marrëdhënieve të biznesit jo vetëm me Shqipërinë, por edhe me të gjithë rajonin. Kreu i shtetit shqiptar ishte i pranishëm në hapjen e forumit ekonomik shqiptaro-çek “Ndërtimi i urave të reja ekonomike”, ku ishte i pranishëm edhe homologu i tij çek Vaslav Klaus. Në fjalën e tij Presidenti Topi kërkoi sërish riaktivizimin e një linje ajrore direkt Pragë–Tiranë. “Mendoj se distanca jo më shumë se një orë nga Praga në Tiranë do t’u jepte mundësi të jashtëzakonshme këtyre shkëmbimeve njerëzore, shkëmbimit mes njerëzve të akademive dhe të universiteteve, të njerëzve të biznesit dhe do të jetë një linjë që nuk do të vuajë për mungesën e njerëzve dhe të komunikimit. Besoj se edhe Presidenti Klaus e konsideroi të rëndësishëm këtë element. Nga komunikimi fizik pastaj thyhen të gjitha ato elemente të komunikimit në distancë si komunikimi psikologjik dhe krijohen të gjitha kushtet për zhvillimin kompleks të këtyre marrëdhënieve”, - theksoi Topi në fjalën e tij. Ai veçoi mundësitë e jashtëzakonshme që ofron vendi ynë në fushën e biznesit. “Shqipëria është një tregues shumë i rëndësishëm i rritjes ekonomike dhe Shqipëria mendon të jetë pjesë e një tregu rajonal, çka do të thotë se biznesmenët çekë mund të konsiderojnë të ardhmen e këtyre marrëdhënieve jo vetëm me biznesin e Shqipërisë, por edhe me të gjithë rajonit, sepse mjaft çështje që kanë të bëjnë, për shembull me energjetikën, janë pjesë e infrastrukturës rajonale dhe shumë elemente të tjera, që e bëjnë botën tonë më të vogël për ta trajtuar në të gjitha termat klasike të globalizmit”, - vijoi kreu i shtetit shqiptar. Në forum merrnin pjesë biznesmenë dhe investitorë të firmave prestigjioze çeke.

Dekorimet

Paraditen e sotme Presidenti i Republikës do të zhvillojë dy aktivitete në Presidencë, aktivitete që do t’i kushtohen dekorimeve. Drejtoria e Informimit Publik pranë këtij institucioni njofton se sot do të zhvillohet ceremonia e dekorimit të Majkëll Granof, drejtor i Bordit të Fondit Amerikan për Zhvillim, dhe gjysmë ore më pas do të zhvillohet ceremonia e dekorimit të drejtuesit të Dhomës Amerikane të Tregtisë, Xhefri Grifin.

a

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›