E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ruli: Ja programi i mbjelljes së ullishtave të reja

07/10/2009  Konferenca me USAID-in

Qeveria po zbaton programin për ullirin nga do të përfitojnë mbi 30 mijë fermerë në 9 qarqe që prodhojnë ullinj në vendin tonë. Gjatë Konferencës Kombëtare “Mbi industrinë e përpunimit të ullirit në Shqipëri”, organizuar nga USAID-i, ministri i Bujqësisë, Genc Ruli, theksoi mbështetjen e qeverisë për zhvillimin e prodhimit dhe përpunimit të ullirit. “Programi i katër viteve të ardhshme do të rrisë eficencën e produktivitetit dhe teknologjisë së prodhimit të ullirit dhe përpunimit të tij”, - tha Ruli. Financimi nga totali i buxhetit për skemat e mbështetjes financiare të drejtpërdrejtë për fermerët, sipas ministrit, do të rritet me 15% -20% në vit duke shkuar në dyfishim deri në fund të këtij mandati. Drejtoresha e USAID-it në Tiranë, Roberta Mahoney, vuri në dukje rëndësinë ekonomike të kultivimit dhe prodhimit të vajit të ullirit, e cila, sipas saj, kërkohet cilësi e standarde në çdo stad të kultivimit e përpunimit. Fermerë dhe përfaqësues të bujqësisë nënvizuan faktin e rritjes së standardeve të përpunimit të ullirit, si një kusht për përmirësimin e cilësisë së vajit të ullirit në treg dhe eksportit të tij.

Takim me ambasadorët

Ministri Prifti: Do të nxisim investimet e huaja

Ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti, ka zhvilluar takime me disa përfaqësues të trupit diplomatik në Tiranë. Sipas burimeve zyrtare ministri i METE-s ka takuar drejtoreshën e USAID-it, Roberta Mahoney, ambasadorin e Spanjës, Manuel Montobbio, ambasadorin e Italisë, Saba D’Elia, dhe ambasadoren e Maqedonisë, Blagorodna Mingova Krepieva. “Ministri Prifti shprehu prioritetet dhe objektivat e qeverisë, në veçanti për të gjitha pasuritë minerare, energjetike, gjeotermale, si edhe për vënien në funksion të bursës së Shqipërisë, duke krijuar një mjedis sa më të përshtatshëm dhe tërheqës për investitorët e huaj”,- thekson njoftimi i Ministrisë së Ekonomisë. Qëllimi i këtyre takimeve ishte jo vetëm prezantues, por edhe një kërkesë për rritjen e mundësive të bashkëpunimit dypalësh. Ministri Prifti ka evidentuar se çdo marrëveshje dypalëshe e çdo lloji do të ishte jo vetëm një përfitim ekonomik, por edhe një eksperiencë ndërkombëtare, në të cilën mbështetet zhvillimi afatgjatë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›