Topi: Shqipëria në NATO, më shumë siguri në rajon
Presidenti i Republikës ishte i pranishëm gjatë darkës së punës për kryetarët e shteteve anëtare të NATO-s. Edhe pse hyrja e tij nuk la shije të mirë pasi u tregua i pakujdesshëm që të linte Zonjën e Parë përpara tij në përshëndetjen me zotët e shtëpisë, Merkel e Sarkozi, ai mbajti një fjalë gjatë darkës. Ai u ndal në falënderimin e anëtarëve të Aleancës dhe kryesisht SHBA-ve, për mbështetjen e dhënë për anëtarësimin e vendit tonë. Ai e ka cilësuar hyrjen e Shqipërisë si një rritje të sigurisë për rajonin. “Angazhimi me të drejta të plota në NATO do të rrisë cilësisht rolin aktiv dhe të moderuar të Shqipërisë në rajonin e Ballkanit, duke shtrirë brezin e sigurisë rajonale në kufijtë e Kosovës, Malit të Zi dhe të Maqedonisë, duke krijuar një standard të ri të bashkëpunimit ballkanik dhe duke u bashkuar me hapësirën e sigurisë mesdhetare. Prania e NATO-s është një instrument për të garantuar një Kosovë shumetnike, për të konsoliduar stabilitetin dhe sigurinë e vendit dhe për të ndihmuar me përvojë forcën e sapokrijuar të sigurisë së Kosovës”, - tha Topi. Më tej ai preku dhe konfliktin Kosovë–Serbi, duke thënë se “përkrahja e tendencave euroatlantike të Serbisë do të kontribuojë pozitivisht, duke ndaluar burimet e financimit dhe mbështetjes nga ana e Beogradit të strukturave paralele në Kosovë”. Në lidhje me detyrimet që merr Shqipëria si anëtare, ai ka cilësuar si provë të parë zgjedhjet e qershorit. “Ky anëtarësim do të ndihmojë zhvillimin e demokracisë së brendshme dhe reformat politike, ushtarake dhe ekonomike në Shqipëri, do të nxisë hapat e saj në integrimin e mëtejshëm euroatlantik. Prova e parë do të jetë zhvillimi sipas standardeve i zgjedhjeve të ardhshme politike të qershorit 2009”, - theksoi Presidenti.