E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bumçi: Nuk dëmshpërblehen kolaboracionistët



Zëdhënësi i grupit parlamentar të PD-së, Aldo Bumçi, reagoi dje pas deklaratave të opozitës se me ndryshimet në ligjin e të përndjekurve dëmshpërblehen kolaboracionistët e luftës. Bumçi tha se një gjë e tillë nuk është e vërtetë, madje akuzoi Edi Ramën se ka krijuar këtë shpifje. “Ky është vetëm një trillim që nuk ka asnjë lidhje me të vërtetën. Ligji për dëmshpërblimin e të përndjekurve politikë nuk përfshin kolaboracionistët, por bën disa përmirësime të nevojshme që dolën në pah gjatë aplikimit të tij në lidhje me kategoritë e të pushkatuarve pa gjyq, të personave që vuajtën dënimin në kampet me tela me gjemba, si dhe zgjeron rrethin e përfituesve nga ligji”, - tha Bumçi. Sipas Bumçit, me këto ndryshime është bërë një shërbim ndaj shumë nacionalistëve që janë vrarë në kohën e diktaturës. “Ligji përmbush një detyrim madhor të shoqërisë shqiptare ndaj të gjithë atyre që u dënuan për bindjet e tyre politike, duke i vendosur në piedestalin e lirisë të gjithë martirët, si në rastin e Kompanisë 4000, që u flijuan kundër regjimit komunist”, - tha Bumçi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›