E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD: PS-ja mashtron me ekonominë dhe pensionet



Zëdhënësja e Partisë Demokratike, Erla Mëhilli, deklaroi dje se Partia Socialiste gënjen kur flet për ekonominë apo rritjen e pensioneve. Sipas saj, pensionet janë rritur ndjeshëm, ndërsa në maj do të bëhet një rritje tjetër nga qeveria. “PS-ja deklaron se ato janë rritur vetëm 7%, ndërkohë që 170.000 pensionistë në fshatrat e Shqipërisë janë plotësisht të sigurt se duke filluar nga data 1 maj 2009, do të marrin 2-fishin, pra një pension 2 herë më të madh se ç’kanë marrë në vitin 2005, kurse rreth 350.000 pensionistë në qytet do të marrin 48% deri në 70% më shumë se ç’kanë kanë marrë më 1 maj të 2005-s”, - tha Mëhilli. Ajo tha më tej se Edi Rama censuron mediat dhe u shpreh e bindur se qytetarët shqiptarë do ta ndëshkojnë më 28 qershor. “Mediat elektronike të kontrolluara nga z. Rama, me urdhër të tij, censuruan tërësisht konferencën e djeshme të shtypit të Partisë Demokratike. Ndërsa sot, në një nga gazetat e tij, në emër të politikës së re, shpif mirëfilltas për rritjen e pensioneve. Nihilizmi, si tipar kryesor i politikës së Edi Ramës, do të marrë më 28 qershor ndëshkimin e merituar nga zgjedhësit shqiptarë, kurse kjo mazhorancë në mandatin e dytë do të vazhdojë rritjen e madhe të pensioneve në përputhje me premtimet e saj”, - deklaroi zëdhënësja e PD-së.

Oketa: Mazhoranca nuk e ka monopolizuar NATO-n

Ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa, deklaroi dje se mazhoranca e djathtë nuk ka monopolizuar anëtarësimin e vendit në NATO. Ai tha se në këtë proces të gjithë kanë kontribut. “Në asnjë rast përfaqësuesit e mazhorancës nuk e kanë monopolizuar çështjen e anëtarësimit në Aleancë. Në çdo rast është vlerësuar kontributi i të gjithë atyre faktorëve dhe aktorëve, qofshin ata civilë, ushtarakë, politikë, të cilët kanë kontributin e tyre në këtë moment madhor”, - tha Oketa. Ministri vuri në dukje se shumica e shqiptarëve janë dakord me këtë anëtarësim në NATO. “Rreth 96% e shqiptarëve kanë qenë pro anëtarësimit në NATO. Destinacioni i Shqipërisë është integrimi në strukturat euroatlantike dhe më pas në Bashkimin Evropian”, - tha ai. Gjithsesi, Oketa shtoi se reformat e kësaj qeverie bënë të mundur që anëtarësimi të ndodhte në një kohë rekord. “Ajo që e dallon qeverinë aktuale nga ato të mëparshmet, është serioziteti maksimal në rrugën e reformave, si dhe kryerja e tyre në kohën e vendin e duhur. Pikërisht, për këtë qeverisja e sotme meriton mirënjohjen e gjithë qytetarëve shqiptarë për këtë proces”, - deklaroi Oketa.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›