Xhuveli; Me PD-në edhe në opozitë
Lufter Xhuveli ka lidhur fatin me Partinë Demokratike. Ministri veteran i kabineteve qeverisëse pas vitit 1997, duket se nuk dëshiron më të jetë i lëkundur për hir të pushtetit, por ka preferuar që të ndjekë nga pas të djathtën. Ndoshta i sigurt në fitoren e së djathtës në qershor, Xhuveli deklaroi dje se tashmë është pjesë e këtij koalicioni dhe nuk do të ndryshojë qëndrim. Ai deklaroi se edhe sikur e djathta të dalë në opozitë, ai nuk do të shkojë tek të majtët pas zgjedhjeve edhe sikur të ketë një ofertë konkrete bashkëpunimi nga e majta. Kreu i PAA-së tha se do të qëndrojë në krah të Sali Berishës. "Po qe se ky koalicion, ta zëmë në një rast që nuk ka pse të mos parashikohet, do të jetë në opozitë, atëherë PAA ka nënshkruar marrëveshje me këtë koalicion dhe nuk do të jetë pjesë e qeverisjes tjetër, po qe se do të ketë ftesa. Do të jetë pjesë e opozitës", - tha dje për “Alsat” Lufter Xhuveli, ministër i Mjedisit.
Ai tha më tej se e majta ka ndryshuar qëndrim në lidhje me vendimin e tij për t’u bërë pjesë e qeverisjes së djathtë në vitin 2005. Sipas tij, e majta i ka kërkuar falje për akuzat e lëshuara ndaj tij dhe PAA-së. “Pse bien aq poshtë, më vjen keq dhe për atë. Megjithatë, unë do t’ju them këtë tjetrën, që të gjithë ata ose përjashto dy-tre raste, por të gjithë ata që publikisht më kanë adresuar kritika në 2005-n, dhe unë e kam quajtur të kapërcyer, por po e them, të gjithë ata ose më kanë kërkuar të falur, ose më kanë dhënë të drejtë më pas gjatë gjithë kësaj kohe”, - deklaroi më tej Xhuveli.
Vetëm pak ditë më parë, partia e Xhuvelit lidhi aleancë parazgjedhore me PD-në. Sipas kësaj marrëveshjeje, të dyja partitë do të kenë kandidatin e vet në listat e mbyllura, duke mos lënë asnjë shteg që të përdorin listat e njëra-tjetrës. “Secila parti do të angazhohet me kandidatët e vet për deputetë në secilën prej zonave elektorale për të maksimalizuar votat e këtij koalicioni”, - thuhet në marrëveshje. PAA-së do t’i duhet të punojë me forcat e veta për të arritur përfaqësimin në Kuvend. Pavarësisht kësaj, një shtab i përbashkët pune do të ngrihet për të koordinuar më mirë punët në fushatë. Ndërkohë, ky koalicioni i djathtë që sot krahas PD-së janë edhe PR-ja me PAA-në, pritet të zgjerohet më tej. “Partitë tona bien dakord që në përputhje me parimet e kësaj marrëveshjeje të ftojnë në koalicionin tonë elektoral edhe parti të tjera aleate, të koalicionit qeverisës apo jashtë tij, me qëllim që ta kthejë fushatën e zgjedhjeve parlamentare në një fitore të rrugës sonë të ndryshimit të një Shqipërie anëtare e NATO-s dhe evropiane”, - thuhet në marrëveshje.
Malaj: Të mos anashkalohen problemet ekonomike
Deputeti i Partisë Socialsite, Arben Malaj, deklaroi dje se qeveria po injoron problemet ekonomike. Sipas tij, vendi ka mjaft probleme që janë shkaktuar nga kriza globale ekonomike dhe kërkoi që qeveria të ndërhyjë. "Euforia e qeverisë për të injoruar situatën e vështirë të ekonomisë shqiptare mund t´i bëjë më të rënda pasojat e kësaj krize. Në kushtet kur kriza është thelluar në të gjitha vendet partnere tregtare të Shqipërisë, ajo do të rrezikojë akoma më shumë ekonominë e vendit tone”, - deklaroi Malaj. Sipas tij, ka pasur një ulje të kreditimit si dhe shtrenjtim të tij. Malaj u shpreh më tej se po keqpërdoren fondet buxhetore. “Kreditimi i biznesit dhe konsumatorit është bërë ose i pamundur ose më i shtrenjtë, ristrukturimi i kredive të pakthyera ose në vështirësi duhet të shihet si një mundësi për të zbutur krizën ekonomike dhe sociale. Deformimi dhe mashtrimi me treguesit ekonomikë dhe fiskal të vendit është i papranueshëm, keqpërdorimi elektoral i fondeve buxhetore të taksapaguesve shqiptarë është rritur”, - tha Malaj.