Topi: Të thellohet bashkëpunimi Kosovë-Shqipëri
Në përbërje të grupit të deputetëve, ishte Kryetari i Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis e Planifikim Hapësinor, Naser Rugova, që shoqërohej nga deputetët Tom Hajdari dhe Albatros Rexha. Gjatë takimit Presidenti Topi u shpreh se Republika e re Kosovës dhe lidershipi i saj kanë dëshmuar, sidomos pas zgjedhjeve të fundit, aftësitë për të ndërtuar një shtet demokratik dhe multi-etnik, me synime të qarta integruese në gjirin e familjes evropiane dhe strukturat euro-atlantike. Kreu i shtetit shqiptar theksoi rëndësinë e rritjes së bashkëpunimit ekonomik dhe shkëmbimeve tregtare mes dy vendeve tona, duke nënvizuar rolin që luan në këtë drejtim ndërtimi i arterieve infrastrukturore, si dhe zbatimi i projekteve të përbashkëta në fushën e bujqësisë, agro-biznesit, etj. Nga ana e tyre deputetët e Kuvendit të Kosovës e informuan. Topi rreth përpjekjeve dhe sfidave të Kosovës për të rritur akoma dhe më tepër njohjen ndërkombëtare të saj, për zhvillimin e mëtejshëm dhe zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik, që do të pasohen nga proceset e integrimit euroatlantik dhe ato për në Evropën e Bashkuar.