E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi: Topalli nuk përfaqëson Shkodrën, as traditat e saj

Presidenca deklaroi sot se asnjë fjalë e Presidenti të Republikës nuk ka qenë kritikë ndaj shkodranëve dhe traditave të tyre qytetare.

“Presidenti z. Bamir Topi është njohur përmes burimeve zyrtare me disa deklarata e nisma të njëanshme, të pasakta dhe denigruese të ndërmarrë ndaj tij dhe institucionit që përfaqëson nga individë apo grupe të caktuara partiake lidhur me vizitën e suksesshme në Shkodër. Në respekt të qytetarisë shkodrane, opinionit publik dhe përgjegjësisë institucionale Presidenti sqaron se në asnjë rast, në asnjë fjalë apo veprim të tij nuk ka bërë komente kritike ndaj qytetit të Shkodrës, qytetarisë së saj, traditës së pasur të gjuhës apo të kulturës së saj”, thuhet në deklaratë.

“Mesazhi kritik i Presidentit, siç mund të vërtetohet direkt përmes regjistrimeve televizive i është adresuar nominalisht një zyrtari të lartë të shtetit, e cila me qëndrime e sjellje joinstitucionale, keqpërdor detyrën kushtetuese, postin publik, etikën institucionale të komunikimit dhe vetë votën demokratike të Shkodrës. Çdo interpretim tjetër është jorealist dhe i sponsorizuar nga zyrtarë të veçantë, të cilët duan ta mbajnë qytetin peng të axhendave të tyre personale politike. Për këdo sot është e qartë se ky ose këta individë nuk përfaqësojnë Shkodrën as traditat e saj të çmuara kulturore, por vetëm një grup individësh të lidhur me interesa specifike pushteti, të cilët me rotacion nominal e kanë pronësuar me pa të drejtë vendimmarrjen politike të këtij qyteti. Kjo sjellje abuzuese me mandatin përfaqësues dhe vullnetin e qytetarisë shkodrane, me siguri që nuk ka dhe nuk mund të ketë mbështetje qytetare, përveç grupeve të tilla të izoluara dhe të lidhura me interesa të ngushta ekonomike e politike…Presidenti i Republikës shpreh vlerësimin e tij më të lartë për Shkodrën dhe gjithçka që ky qytet ka përfaqësuar denjësisht në historinë e shtetit dhe shoqërisë shqiptare”, përfundon deklarata.

                                                                                             2011-10-16 16:00
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›