Topi: Topalli porositi deformime mediatike
Drejtoria e Informacionit Publik në Institucionin e Presidentit ka reaguar mbi një lajm të publikuar nga një gazetë pranë qeverisë. Gazeta në fjalë në numrin e sotëm raportonte se Presidenti i Republikës Bamir Topi është larguar nga stadiumi Loro Boriçi para përfundimit të ndeshjes Vllaznia Tirana. Shkak sipas gazetës janë bërë thirrjet e tifozëve kundër Topit.
Në reagimin e sotëm presidenca saktëson se lajmi është një deformim mediatik i porositur në kushtet e një nervozizmi politik.
Këto janë deformime të qëllimshme, që synojnë ti japin një imazh negativ pritjes jashtëzakonisht të ngrohtë e qytetare që iu rezervua Presidentit të Republikës si kudo, edhe në qytetin e Shkodrës. Presidenti i Republikës, ishte personaliteti i vetëm që nderoi ditën e djeshme në një ceremoni homazhi, kujtimin e aktorit të paharruar jo vetëm për Shkodrën, por për mbarë Shqipërinë, Ndrek Prela, thuhet në reagimin e presidencës.
Në këtë reagim sqarohet se largimi pak momente para mbarimit të ndeshjes, lidhej vetëm me detyrimin qytetar e institucional për të respektuar përfaqësuesit e familjeve të nderuara shkodrane, të mbledhura për ceremoninë e paralajmëruar të dekorimit të disa personaliteteve të sportit në qytetit e Shkodrës, që janë pikë referimi për çdo brez.
* * *
Duke luajtur me termin spikere e parlamentit për kryeparlamentaren Jozefina Topalli, presidenti Topi, i cili sot ndodhet në Shkodër u shpreh se spikeri përgjithësisht i merr tekstet e recitimit nga të tjerët. Është çështja se sa në mënyrë cilësore e reciton tekstin. Por, minimalisht do tu thoja të gjithë këtyre që së paku në komunikim me publikun të jenë qytetar dhe, e dyta, ta flasin gjuhën shqipe në mënyrë korrekte. Një përgjigje e tillë e kreut të shtetit erdhi në momentin që u pyet për deklaratat e Topallit se Presidenti është pjesë e “një celule antievropiane” – sipas saj.
Ndërkohë që për këtë deklaratë të kreut të shtetit kishte një reagim të menjëhershëm të zyrës për shtyp të Kuvendit. Topalli flet me krenari dhe me vetëdije shqipen më të bukur, atë me të cilën foli Gjergj Fishta, Kol Idromeno, Fadil Kraja, Migjeni, Luigj Gurakuqi. Atë gjuhë Haxhi Qamili nuk e kupton dot!” – thotë kjo deklaratë që duket se nënkupton edhe ndasi krahinore të palejueshme për një politikan të lart.
Kundërreplika erdhi edhe nga zyra e shtypit e Presidencës e cila shprehu bindjen se po të ishin gjallë Gjergj Fishta, Kol Idromeno, Migjeni e Luigj Gurakuqi do të ndiheshin të fyer nga kush i përfaqëson me mungesën e etikës, kulturës politike e institucionale dhe respektit për shqipen zyrtare në Republikën e Shqipërisë.
Presidenti Topi iu përgjigj edhe deklaratave të Ministrisë së Mjedisit për ligjin e plehrave: Koha ka provuar se vendimet e Presidentit kanë qenë gjithnjë korrekte dhe Gjykata Kushtetuese është prova më e qartë edhe me ligjin e pronave. Unë kam kontestuar kontradiktën mes neneve dhe habitem që ekspertë të mjedisit nuk shqetësohen për ambientin, por bëjnë komente politike, përmbylli Presidenti i vendit.