Analiza:Prokuroria e Krimeve të Rënda, ende problem ekzekutimi i letër-porosive
Prokurorja e Përgjithshme, znj. Ina Rama, në vijim të pjesëmarrjes në analizat vjetore të Prokurorive në rrethe është ndalur dje në analizën e punës së Prokurorisë për Krimeve të Rënda Tiranë. Në këtë takim ka marrë pjesë edhe zv.drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, z.Agron Kuliçaj, i cili në fjalën e tij vlerësoi bashkëpunimin mes policisë dhe prokurorëve në ndjekjen dhe hetimin e ngjarjeve. Ndërkohë që znj. Ina Rama e ka shfrytëzuar këtë rast për t’u njohur me rezultatet e arritura përgjatë vitit që shkoi nga Prokuroria e Krimeve të Rënda Tiranë, si dhe për të vënë theksin në bashkëpunimin e ngushtë mes Prokurorisë së Krimeve të Rënda dhe policisë në luftën drejt trafikut dhe qenieve njerëzore. Gjithashtu, shefja e organit të akuzës, znj. Rama ka bërë prezente në analizë bashkëpunimin ndërkombëtar. Një nga kërkesat e Kryeprokurores drejtuar prokurorëve të pranishëm të Krimeve të Rënda ishte fokusimi i punës në drejtim të hetimit pasuror, në zbatim të ligjit të ri “Antimafia”. Gjithashtu, Prokurorja e Përgjithshme ka tërhequr vëmendjen për rritjen e efikasitetit metodave speciale të hetimit. Nga të dhënat e bëra publike nga kreu i kësaj Prokurorie, Olci Çela rezulton se gjatë vitit 2009 në Prokurorinë për Krime të Rënda u hetuan 220 procedime, nga të cilat 104 të mbartura nga vitet e mëparshme dhe 119 të regjistruara rishtazi gjatë vitit që kaloi. Kanë marrë zgjidhje përfundimtare 139 procedime, po aq sa edhe një vit më parë, ndërkohë që u mbartën për vitin 2010 vetëm 81 procedime. Po sipas Çelës, në gjyq u dërguan 46% të procedimeve të zgjidhura, që është një tregues shumë i mirë, ndërkohë që gjatë 2009-ës u transferuan për kompetencë në prokuroritë e rretheve gjyqësore vetëm 26 procedime. Analiza e të dhënave tregon se, në raport me vitin 2008, për vitin që kaloi është rritur ndjeshëm numri i rasteve të shtrëngimit me anën e kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë (neni 109/b i KP), ndërkohë që vihet re rënie e dukshme e rasteve të trafikimit të armëve. Tendenca e trafikimit të lëndëve narkotike mbetet gati e pandryshuar, ndërsa vihet re një rënie gati për 1/3 e numrit të procedimeve për trafikim të qenieve njerëzore. Nga të dhënat e bëra publike rezulton se vërehet një përmirësim i treguesve sasiorë të gjykimit dhe të vënies në ekzekutim të vendimeve të formës së prerë. Të gjitha vendimet e Apelit janë vënë në ekzekutim. Për dënimet me burgim vërehet një prirje ashpërsimi të dënimeve për krimet e trafikimit të njerëzve dhe të armëve e municionit, ndërsa për trafikimin e lëndëve narkotike, politika e dënimeve rezulton e pandryshuar. Problem për Prokurorinë e Krimeve të Rënda vazhdojnë të ngelen vonesat në ekzekutimin e letër-porosive, ndërsa është konsideruar sukses aplikimi i hetimeve paralele me vendet e tjera.