Topi: Vendi ynë duhet të vazhdojë me reformat
Presidenti i Republikës, Bamir Topi deklaroi se "anëtarësimi i Shqipërisë në NATO duhet të mbështetet nga reforma të thella administrative, politike dhe ekonomike". Presidenti Topi mori pjesë sot në Forumin me temë "Shqipëria drejt anëtarësimit në NATO", i cili u organizua nga Instituti i Studimeve Ndërkombëtare, në ambientet e Hotel "Tirana International". duke përshëndetur këtë forum, Kreu i Shtetit vlerësoi se "anëtarësimi i plotë i Shqipërisë në NATO në 4 prill 2009, është kurorëzim i aspiratës së popullit shqiptar, dhe rezultat i punës së të gjitha institucioneve demokratike shqiptare mbas vendosjes së sistemit demokratik në Shqipëri". Në këtë drejtim, Presidenti vlerësoi si mjaft të rëndësishëm edhe "bashkëpunim luajal me partnerët ndërkombëtarë". Presidenti vlerësoi se "kjo datë do të shënohet në historinë e Shqipërisë si dita e kthesës së madhe, si çasti i rikthimit të Shqipërisë në vendin që i takon, si aleate e besueshme e demokracisë, zhvillimit, mirëqenies dhe luftës kundër terrorizmit ndërkombëtar". Por, sipas, Kreut të Shtetit "procesi i integrimit nuk mbaron me anëtarësimin në NATO". "Ai është një proces i gjatë kompleks dhe i vështirë që kërkon më shumë përkushtim politik, shfrytëzim më racional të burimeve njerëzore, materiale e financiare, si dhe zhvillim të pagabueshëm të kapaciteteve kombëtare në fushat kryesore: në atë politiko-ekonomike, të mbrojtjes e të sigurisë, të legjislacionit, të administratës dhe të sigurimit të informacionit", vijoi Presidenti. Përgjegjësitë ndaj NATO-s do të jenë detyruese, tha Presidenti Topi duke theksuar se "koncepti i ndarjes së përgjegjësive, të peshës dhe të roleve midis anëtarëve të Aleancës do të funksionojë në mënyrë të barabartë edhe ndaj vendit tonë". uke u ndalur te masat që ka marrë Shqipëria për përshtatjen e legjislacioni kombëtar, Presidenti theksoi se "Shqipëria është vendi i parë në botë, që ka shkatërruar të gjitha armët kimike duke bërë një riorganizim rrënjësor të të gjithë sistemit të mbrojtjes dhe duke hartuar një strategji të re kombëtare të sigurisë". Një nga sfidat e reja të Shqipërisë si anëtare e re e NATO-s, sipas Kreut të Shtetit "do të jetë rritja dhe përshtatja e aftësive të saj për të dhënë ndihmesë ushtarake sistematike për sigurinë ndërkombëtare, sipas nevojave që do të paraqiten dhe kërkesave që do të shtrohen për t’u përmbushur".
Në këtë drejtim, Presidenti Topi vlerësoi se "përvoja e deritanishme e trupave tona ushtarake në misione paqeruajtëse jashtë Shqipërisë, së bashku me reformimin e vazhdueshëm të Forcave të Armatosura, janë dy shtylla mbështetëse në marrëdhëniet me NATO-n". Duke i vlerësuar detyrat e anëtarësimit si objektiva kombëtare, Presidenti theksoi se "ato kërkojnë koordinim, administrim dhe angazhim serioz të të gjitha institucioneve shtetërore dhe publike, si dhe ndërgjegjësimin e të gjithë aktorëve socialë, ekonomikë dhe financiarë. Një vend anëtar i NATO-s kërkon edhe një ekonomi të qëndrueshme, e cila prodhon dhe sistem politik të qëndrueshëm. Reformat e mëtejshme ekonomike duhet të garantojnë jetëgjatësi në zhvillim dhe mirëqenie në rritje. Ato, së bashku me reformat fiskale, duhet të krijojnë terrenin e përshtatshëm për të nxitur kapitalet vendase që të investojnë, si dhe të tërheqin më shumë investime të huaja në ekonominë shqiptare", vijoi Presidenti. Duke u ndalur te zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit, Presidenti vlerësoi se "ato janë testi i Shqipërisë për të ecur më tej në anëtarësimin e saj drejt BE-së, por edhe guri i provës më i afërt që përligj besimin e aleatëve tanë. Standartet e kërkuara të zgjedhjeve politike të qershorit nuk përmbushen vetëm duke ndërtuar infrastrukturën e nevojshme zgjedhore, por edhe duke bërë një fushatë transparente, programore, vizionare dhe etike për të ndërgjegjësuar qytetarët se vetëm nëpërmjet votës së lirë, ata mund të bëhen pjesë e zgjidhjes së problemeve dhe ndërtimit të së ardhmes së tyre", u shpreh Presidenti. Gjithashtu, Kreu i Shtetit u shpreh se "politika shqiptare nëpërmjet zgjedhjeve parlamentare të muajit qershor, ka përgjegjësinë të shkëpusë përfundimisht këtë vend nga udhëkryqet historike dhe politike". në aspektin rajonal, Presidenti vlerësoi se "rëndësia e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO është përgjegjësi në rritje në shërbim të interesave kombëtare, por edhe në mbështetje të aspiratave integruese të shqiptarëve që banojnë në vendet fqinjë". Në këtë kuadër, Presidenti veçoi edhe "përgjegjësitë që dalin në ndihmë të forcimit së shtetit të ri të Kosovës dhe përmbushjes së parimeve për një rajon të çliruar nga mendësitë e vjetra dhe me vizione euroatlantike drejt të ardhmes. Roli i matur dhe aktiv i Shqipërisë në Ballkanin plot konflikte u vlerësua në mënyrë të veçantë nga komuniteti ndërkombëtar gjatë konfliktit të armatosur në Kosovë, por edhe më pas, në periudhën pas Shpalljes së Pavarësisë së saj", tha Presidenti Topi.
...