Topi: Votoni për të ardhmen, jo për ata politikanë që për karrige ju çojnë drejt vrasjeve
Kryetari i FRD-së, Bamir Topi, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij dhe dy vajzat votuan sot në qendrën nr.1968 në Tiranë.
Pasi hodhi fletën e votimit, Topi dha një mesazh për mediat ku theksoi: Shfrytëzova të drejtën time dhe pata kënaqësinë që të votoj për numrin 66.
I bëj thirrje të gjithë shqiptarëve të ruajnë qetësinë, të qëndrojnë larg episodeve të panevojshme dhe të shfrytëzojnë të drejtën e votës pavarësisht bindjeve të tyre. Vota e juaj në masë do të jetë patjetër një kusht i rëndësishëm që shteti dhe shoqëria të fitojë ekuilibrat.
Lidhur me incidentin e sotëm në Laç, kryetari i FRD-së u shpreh: Ajo që ndodhi në Laç është e dhimbshme, pasi humbi jeta e një njeriu dhe e gjitha si pasojë e një politike të vjetër. Njerëzit janë të prirur të shkojnë pas partive politike, por disa individë gjatë kësaj kohe kanë prodhuar këtë lloj politike, që nuk është normale. Sot është moment që shoqëria të vendosë me qetësi dhe të bëjë analizë për ato që ndodhin. Ne nuk mund të tolerojmë që në vitin 2013 të ketë ngjarje të tilla, të cilat nuk ndodhin në asnjë vend të Ballkanit. Votoni në qetësi për të ardhmen tuaj dhe jo për interesat e politikanëve, të cilët për karrige i çojnë njerëzit drejt vrasjeve.
Në fund kryetari i FRD iu drejtua me një mesazh qytetarëve: Sot duhet të ndahemi nga tranzicioni, duhet të plotësojmë standardet dhe njëri prej tyre është ai i zgjedhjeve. Uroj që pjesa e mbetur e procesit, si edhe procesi i numërimit të shkojë në qetësi.