E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi: Zgjedhjet e 2009 t’i japin fund tranzicionit

 

Zgjedhjet e qershorit duhet të zhvillohen në një klimë të qetë, për të shënuar fundin e tranzicionit në Shqipëri. Presidenti Bamir Topi është shprehur dje në mbledhjen e radhës së Këshillit të Lartë të Drejtësisë së procesi i ardhshëm elektoral duhet të shmangë kontestimet, fenomen i përsëritur rëndom në çdo proces zgjedhor. “Zgjedhjet politike të vitit 2009 konsiderohen më të rëndësishmet e periudhës së re demokratike në Shqipëri për t’i dhënë fund njëherë e mirë këtij tranzicioni, i cili sikurse ju e dini fare mirë ka qenë i mbushur me zgjedhje, me kontestime, me implikime të karakterit ligjor, padiskutim dhe të kolegjeve zgjedhore të sistemit të drejtësisë”, u shpreh dje Topi. Sipas tij është e rëndësishme, që zgjedhjet të zhvillohen në një klimë të qetë, teksa shtoi se e tillë duhet të jetë edhe situata parazgjedhore. “Kjo ka një rëndësi të jashtëzakonshme, që këto zgjedhje të zhvillohen në një klimë të qetë, këto zgjedhje të jenë në funksion të qytetarit, natyrisht dhe partitë politike kanë interesat e tyre, por besoj që partitë politike në themel të programit të tyre kanë interesat e qytetarit dhe unë uroj që të jetë në këtë linjë e gjithë klima parazgjedhore dhe zhvillimi i zgjedhjeve, që sikurse dihet janë dekretuar në datën 28 qershor të vitit 2009”, vijoi më tej kreu i shtetit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›