KLD zgjedh 8 gjykatësit e zgjedhjeve
Fatos Mahmutaj
Zegjine Sollaku, bashkëshortja e ish-kryepro-kurorit Theodhori Sollaku, përjashtohet nga Kolegji Zgjedhor. Ishte një nga tetë togat e zeza, që përzgjodhi shorti dje në KLD, por dhe e para që u kontestua nga përfaqësuesit e partive politike. Menjëherë pas publikimit të emrave fitues, KLD-ja ftoi përfaqësuesit e partive politike të paraqitnin me zarfe të mbyllur emrat e gjykatësve që duheshin larguar nga Kolegji, pa dhënë asnjë arsye. Sipas ligjit secila nga katër partitë politike, që kanë numrin më të lartë të përfaqësuesve në parlament PD, PS, PR dhe PSD, mund të kundërshtonte një emër pa publikuar arsyet. Ndërsa KLD-ja kishte shpallur si të përzgjedhur emrat e gjykatësve: Dhurata Haveri, Bashkim Dedja, Astrit Kalaja, Marie Qirjazi, Zegjine Sollaku, Stavri Kallço, Sashenka Jonuzi dhe Meriban Mullaj, përfaqësuesit e partive politike përjashtuan nga përbërja e Kolegjit emrat e Sollakut, Dedjes dhe Kallços. Kjo bëri që pak minuta më vonë të ripërsëritej shorti për tre emrat e përjashtuar, ndërsa u përzgjodhën për t’i zëvendësuar kolegët e tyre: Entela Prifti, Tom Ndreca dhe Petraq Koço, të cilët plotësuan numrin e duhur të anëtarëve të Kolegjit Zgjedhor të Gjykatës së Apelit.
Konkurrimi
Pas kësaj KLD-ja vendosi që tetë togat e zeza t’i delegojë menjëherë në detyrë në funksionin e posaçëm të anëtarëve të Kolegjit Zgjedhor, i cili do funksionojë pranë Gjykatës së Apelit Tiranë, ku dhe më parë kanë funksionuar edhe kolegje të tjerë. Mbledhja e djeshme e KLD-së ishte e para për këtë vit, ndërsa u drejtua nga Presidenti Bamir Topi. Pika më e rëndësishme e rendit të ditës ishte përzgjedhja e anëtarëve të Kolegjit Zgjedhor, një domosdoshmëri kjo për shkak të zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit të këtij viti. Funksioni i këtij kolegji me tetë anëtarë ka të bëjë me shqyrtimin e mosmarrëveshjeve zgjedhore. Në listën e kandidatëve ndodheshin emrat e 53 gjykatësve të Shkallës së Dytë, ndaj të cilëve nuk ka masa disiplinore në fuqi. Ndërkohë, mbledhja e djeshme dhe procedurat e shortit u zhvilluan në transparencë të plotë në çdo fazë të saj, në prani të medias, me argumentin për të garantuar proces të rregullt.
Mbledhja
Sipas KLD-së, transparenca e treguar gjatë mbledhjes së djeshme tregoi saktësimin e përfshirjes në short të së gjithë gjyqtarëve të nivelit të dytë, që plotësojnë kërkesat e Kodit Zgjedhor; tërheqjen e emrave me përzgjedhje rastësore të tyre nga vetë anëtarët e KLD-së, duke përjashtuar anëtarët “Për shkak të detyrës” dhe ata anëtarë, të cilëve punojnë gjykatës në Apel; si dhe respektimin e vullnetit të përfaqësuesve të katër partive politike nga pozita dhe opozita, PD, PR, PS dhe PSD, me numrin më të lartë të mandateve në Kuvendin e Shqipërisë. Ndërkohë, sot në orën 11:00 pritet që tetë gjykatësit e përzgjedhur nga shorti për të përbërë Kolegjin Zgjedhor të paraqiten në Pallatin e Brigadave, ku do të zhvillohet ceremonia e betimit të tyre. Menjëherë pas kësaj, Kolegji do të jetë gati për të administruar dhe shqyrtuar mosmarrëveshjet zgjedhore, pasi më parë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të ketë dalë me një vendim. Ndërkohë, në mbledhjen e djeshme KLD-ja miratoi se duke filluar nga data 9 shkurt 2009, për tre javë me radhë, ky institucion do të jetë tërësisht i përfshirë në analizat vjetore të veprimtarisë për 22 gjykatat e Faktit në vend dhe shtatë Gjykatat e Shkallës së Dytë, mbi bazën e një axhende që u përcaktua po dje. Ndërsa u shqyrtua edhe mbarimi i mandatit të kryetarit të Gjykatës së Tiranës Albert Meçe, i cili me këtë rast ka paraqitur edhe dorëheqjen, në mënyrë për të konkurruar në pozita të njëjta për gjykatës në Shkallë të Dytë.
Kolegji zgjedhor
Anëtarët
Dhurata Haveri
Astrit Kalaja
Marie Qirjazi
Sashenka Jonuzi
Meriban Mullaj
Entela Prifti
Tom Ndreca
Petraq Koço
U kundërshtuan
Bashkim Dedja
Zegjine Sollaku
Stavri Kallço
Partitë politike
Partia Demokratike
Partia Republikane
Partia Socialiste
Partia Socialdemokrate