E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Edi Rama më ofroi gjashtë deputetë të PS që të mos bëja koalicion me Ilir Metën

 

“PS-ja më ofroi gjashtë deputetë për të miratuar qeverinë e re, me kusht që të mos ftoja në koalicion LSI-në”. Deklarata u bë mbrëmë nga kryeministri Berisha gjatë një interviste në emisionin “Opinion” të gazetarit Blendi Fevziu në TV Klan, ku theksoi se bashkëpunimi me LSI-në do të përfshijë zgjedhjet lokale dhe të gjitha zhvillimet e këtij mandati.
Opozita ju akuzon se po grabisni mandatin e Fierit...
Opozita ka të drejtë të bëjë vërejtje. Uroj që opozita të mos bëhet opozitë e kutisë. Rriti tensionin për Beratin, u numërua kutia e Beratit. Do numërohen kutitë e Fierit. Nuk ka asnjë tendencë të mohojë të drejtën edhe qoftë të një vote. Por si opozita dhe pozita në këtë proces duhet të kërkojnë zbatimin e ligjit dhe unë që ditën e parë jam shprehur ligji, ligji dhe vetëm ligji. Zoti Rama nuk më telefonoi, e humbi rastin.
E kishit seriozisht se nëse humbitnit do të jepnit dorëheqjen?
Pa asnjë mëdyshje. Do të jepja dorëheqjen nga jeta politike. Unë udhëhoqa një listë, një betejë, nuk fitova, detyrimi im madhor është të hap rrugën për të tjerë, që do të mund ta çojnë drejt fitores. Ky është rregull i pandryshuar në botën e qytetëruar. Mua m’u dha rasti të nxjerr nga politika, përveç Enver Hoxhës, të gjithë liderët e asaj partie.
Rama nuk ka dalë ende nga politika dhe nuk ka deklaruar ende se do japë dorëheqjen...
Po të qëndrojë si Kostandin në politikë, le të qëndrojë, por tani ai është i humbur, të bëjë ç’të dojë. Vendimi i tij nuk është çështje e axhendës sime. Por standardi është standard. Paraardhësi i tij vendosi një standard. Nuk tha që jam historia, por iku. Ky të bëjë ç’të dojë.
Nuk ju tremb ideja se mund të mbetet në krye të PS-së?
Po si mund të trembem unë nga ai, fjalë është kjo?
Si do ndiheni në parlament si një nga 3-4 deputetët më të vjetër? Nuk janë Nano, Gjinushi, Ceka, Milo, lideri i PS-së nuk preferoi të zinte vendin e tij në parlament, me kë do t’i bëni betejat parlamentare?
Ky është një problem, sepse aty do të shfaqet sindromi i kryeministrit. Në atë grup do të ngrihen 15, secili do kujtojë se është kryeministër dhe do përgatisin me mjeshtërinë më të madhe rezultatin tim të ardhshëm në 2013.
Prapë do vazhdoni në 2013?
Sa të më votojnë këta, unë do vazhdoj.
S’kemi pasur deri më sot asnjë koalicion real. Kemi pasur koalicione ku janë ndarë pushtete, si ai i Nanos në 1997, por s’kanë pasur nevojë për vota...
Koalicioni është i diktuar nga rezultati i zgjedhjeve, por të garantoj se edhe po të mos kish qenë i diktuar nga rezultati do synoja koalicion. Edhe nëse do kisha 73 deputetë, do t’i ofroja LSI-së hapjen drejt saj.
Në zgjedhje 25 mijë vota e bënë diferencën...
Ka fitore edhe me 1 mijë vota. Me këtë koalicion është 52% me 45%. Ky koalicion ka disa merita dhe këto zgjedhje kanë meritë, sepse diktojnë këtë koalicion. Së pari, askush nuk shkon në zgjedhje për shkak të rezultatit. D.m.th jo zgjedhje të menjëhershme, por koalicioni është ligji i pandryshueshëm për vendet demokratike. Së dyti, shkohet në zgjedhje kur koalicioni që krijohet nuk funksionon dhe s’ka alternativë tjetër. Shkuarja në zgjedhje pa testuar koalicionin është një nëpërkëmbje totale e sovranit. Në rezultatin aktual mundësia logjike ishte PD-LSI. Por nëse nuk do ekzistonte LSI, unë po deklaroj këtu se do t’i drejtohesha PS-së, sepse unë s’mund të merrja vendimin që për inate të kërkoja ripërsëritje zgjedhjesh.
Nëse LSI s’do pranonte apo nuk do ishte, do t’i drejtoheshit PS-së?
Pa diskutim. Por ndodhi që me LSI-në krijohet një koalicion plotësisht i qëndrueshëm, me 75 vota. Do ishte gabimi më i madh po të shkoje te koalicioni më i gjerë, sepse do lije vendin pa opozitë. 4 deputetë s’mund të konsiderohen opozitë. Opozita është pushteti moral i vendit. Tani ç’ndodhi? Sapo unë iu drejtova zotit Meta, zoti Rama bëri çdo përpjekje për të mos lejuar një koalicion të tillë. Së pari, ofroi me kërcënim koalicionin, me emisarët e tij, ose koalicion ose s’do njohim rezultatin dhe do dalim në rrugë.
Ka pasur një ofertë të zotit Rama, që nëse bëni koalicion nuk do njohin zgjedhjet?
Nëse s’bëja koalicion me të, s’do njihnit zgjedhjet. Të paktën ata që kanë folur në emër të tij. Pra, sipas tyre, vendi të bëjë një koalicion të gjerë, përndryshe nuk njohim zgjedhjet dhe do dalim me njerëz në rrugë. Dilni u thashë. Shqipëria është vend i lirë, por unë koalicion nuk bëj. Së dyti, oferta tjetër e dëshpëruar: të japim ne 6 deputetë, por me Metën mos bëj koalicion. Jo zotëri. Meta ka 87 mijë vota dhe ka 4 deputetë dhe një deputet i Metës ka një bazë më të gjerë se çdo deputet i PD-së dhe i PS-së. Me këtë kombinim PD-LSI përfaqësimi elektoral arrin në 52%, me këtë përfaqësim zgjidhet çdo president dhe çdo qeveri kudo në botë.
Por ama keni vetëm 74 vota që s’janë shumë stabël...
Janë shumë stabël, sepse e di ti ligjin e Kushtetutës. Ky do të jetë një nga koalicionet më stabël.
Edhe marrëdhëniet tuaja me Metën do jenë stabël?
Politika është marrëveshje, shumë stabël.
Pavarësisht se ju keni marrë pjesë në kodin që e penalizoi LSI-në?
Nëse ka një forcë politike të persekutuar 8 vite me radhë, është LSI-ja.
A është e vërtetë që Oli Rehn ju ka telefonuar kur Meta ishte në grevë urie....
Unë dua të garantoj se 2 muaj rresht i kam kërkuar Ramës të mos bëjmë përjashtimin e LSI-së, sepse kjo do të thotë të shtypësh me ligj tjetrin. LSI e kishte me marrëveshje komisionerin në KQZ, LSI ishte forcë e tretë politike. Jam përpjekur çdo dy ditë që i thoshim mos e bëj në këtë mënyrë. Nuk pranonte kurrsesi. Kur nisi greva u zhduk, nuk fliste. Zoti Rehn më telefonoi dhe i thashë: “Të gjitha votat e mia janë në dispozicion të ndryshimit të Kodit nëse bindet zoti Rama”. Kjo është e vërteta. Tani zoti Rama këto insistime të miat të asaj kohe i merr si elementë të parapërgatitjes së marrëveshjes postelektorale. Këto janë fantazi të sëmura.
Nëse LSI do t’i përgjigjej LSI dhe PS jo, si do shkonte vendi?
E vërteta është që po të përgjigjej LSI jo, PS-ja me këngë e valle do përgjigjej po. Nuk mund ta imagjinojmë. PS-ja të gjithë inatin dhe ata që i vërsulen LSI-së, i vërsulen sepse ajo zëvendësoi ata në një koalicion.
A do të merrnit ju vota të trafikuara nga PS-ja për të mbushur 71?
Asnjë të vetme.
A keni bërë tratativa?
Me asnjë njeri të vetëm. E kam deklaruar që ditën e parë: do bëj koalicion, sepse unë mora 47% të votave, Meta mori 5.8% dhe kjo do të thotë gati 53%. Këtu ecet me moral. A mund të vijnë do thuash ti? Se çfarë bëjnë deputetët gjatë rrugës së tyre, ajo është në të drejtën e tyre, por unë qeverisjen time do ta bëja në mënyrë transparente.
Marrëdhëniet tuaja me Metën që kanë qenë problematike, do funksionojnë?
Do funksionojnë plotësisht. Unë e kam faktuar këtë. Nëse unë ftoj një njeri për bashkëpunim, nuk e bëj kurrë atë me dy mendje. Unë e konsideroj jetik bashkëpunimin me luajalitet të plotë.
Ky bashkëpunim do të prekë vetëm qeverinë apo edhe zgjedhjet e ardhshme lokale?
Ajo që është e veçanta e këtij bashkëpunimi, janë diskutuar dhe trajtuar çështjet programore si integrimi, punësimi dhe probleme të tjera.
Keni filluar negociatat me zotin Meta?
Po, sigurisht që kam nisur negociatat.
Personalisht me zotin Meta, apo s’jeni takuar ende me të?
Zoti Meta e drejton LSI-në. Me ndërmjetës apo direkt... komunikimi është intensiv, sepse do qeverisim katër vite dhe po përgatisim qeverisjen katërvjeçare. Koalicioni përfshin zgjedhjet lokale. Padiskutim që do bashkëpunojmë në zgjedhjet lokale me njëri-tjetrin. Përfshin një përpjekje të re për të hequr ndëshkimin ligjor ndaj LSI-së.
Pra ndryshimin e Kodit? Si do ta bëni këtë, ju duhen 84 vota?
Shpresoj që pësimi të bëhet mësim. Nuk shkohet duke përdorur ligjin ndaj kundërshtarit. Përdoret standardi. Standardi kërkon që ai të jetë i përfaqësuar në KQZ dhe në të gjitha komisionet.
A do prekë ky koalicion edhe presidentin e ardhshëm?
Bashkëpunimi është i plotë 4-vjeçar.
Që do të thotë se brenda mandatit mbaron dhe mandati i presidentit...
Po lëre Presidentin. Ta nisësh 3 vjet para diskutimin për Presidentin nuk është e fisshme. Nuk ka diskutim që bashkëpunimi shtrihet për të gjitha zhvillimet e mëdha 4-vjeçare.
Është i projektuar në këtë koalicion dhe zoti Nano?
Zoti Nano nuk është i projektuar në këtë koalicion. PS-ja nuk është e projektuar. PS-ja është e ftuar të bashkëpunojë.
Ç’do të marrë LSI-ja në qeverinë tuaj?
Asgjë nuk është përcaktuar. Janë bërë diskutime programore, sapo të përcaktohen do bëhen publike. Nuk do përcaktohen gjer nga 10 ditëshi i fundit i gushtit, sepse është një qeveri që funksionon në kapacitet të plotë.
Nuk keni nevojë t’i bëni diversion opozitës për të diktuar një garë që mund të ketë brenda saj...
Uroj që opozita të zhvillojë një garë të hapur, por nuk shoh që mund të krijojë të ardhme me Blushin. Blushi ka probleme me veten e tij.
Sa ministri do të jenë?
Me koalicionin do të diskutohet. Numri është çështje negociatash me koalicionin.
Kush do të jetë në qeveri?
As unë nuk e di, sepse do përcaktohet koalicioni.
Emrat që janë në qeveri mund të mbeten apo dhe mund të largohen?
Aq sa mund të mbeten dhe mund të largohen. Këta kanë qenë njerëz të suksesshëm, por koalicioni dikton dhe secili prej tyre ka vetëdijen politike që koalicioni është jetik për 4 vitet që vijnë.
A do të jetë PBDNJ në koalicion tuaj?
Unë mbetem i hapur për koalicionin. Problemet e tyre janë problemet e tyre.

Thaçi e Ahmeti mesazh qeverisë “Berisha- Meta”

Klasa politike e shqiptarëve të Maqedonisë ka uruar dje fitoren e mandatit të dytë të Partisë Demokratike dhe formimin e kabinetit të ri qeveritar me Lëvizjen Socialiste për Integrim. “Ju uroj për fitoren e koalicionit të djathtë, të cilin zoti Kryeministër ju e udhëhiqni, me çka shqiptarët i bashkëngjiten shteteve më demokratike evropiane. Përgëzimet e mia të sinqerta për gatishmërinë e formimit të koalicionit qeveritar në bazë të gjerë politike, së bashku me Kryetarin e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta”, thuhet në mesazhin e kreut të PDSH-së, Menduh Thaçi. Në të njëjtën kohë, Kryeministri Sali Berisha ka marrë mesazhe urimi edhe nga kryetari i PDI-së, Ali Ahmeti, Kryetari i Partisë Ekologjike të Kosovës, Arif Krasniqi, Kryetari i Partisë Demokracia e Re në Maqedoni, Imer Selmani dhe Kryetari i Partisë për Veprim Demokratik, Riza Halimi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›