E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gripi i derrave, ISHP-ja nuk përjashton rastet e virusit në vend



Emanuela Sako
Shqipëria tashmë ndodhet në trysninë e gripit të derrit, që tashmë ka pushtuar gjithë botën. Specialistët e shëndetësisë bëjnë të ditur se edhe në vendin tonë mund të ketë pasur ndonjë rast të prekur lehtë nga virusi, por që ka kaluar. Specialistja e ISHP-së, Silva Bino, shprehet se ndonjë person mund të jetë prekur nga virusi. “Ndonjë person mund të ketë qenë prekur nga ky grip, ndërkohë që në tetor dhe nëntor do të kemi raste të tjera të këtij virusi”, -u shpreh specialistja, Silva Bino. Megjithëse specialistët bëjnë të ditur se masat për përballimin e situatës janë marrë, ata u bëjnë apel qytetarëve që të drejtohen në spitale nëse vënë re simptomat e para. Në të kundërt, virusi do të gjejë terren për t’u përhapur më gjerë në popullatë.
Situata
Gjendja duket alarmante dhe e pashmangshme, tashmë që të gjithë vendet fqinjë konfirmojnë dhjetëra raste. Bino theksoi se në periudhën tetor-nëntor do të ketë raste të tilla. Ndërkohë që në të gjitha qendrat shëndetësore kanë krijuar kapacitetet në spitale për të pritur rastet e para. Në çdo qendër shëndetësore është krijuar një dhomë e posaçme për rastet e prekura dhe janë shpërndarë të gjitha pajisjet për personelin shëndetësor, siç janë dorezat, maskat etj. Në çdo qendër shëndetësore janë shpërndarë broshura për t’u bërë të njohur qytetarëve simptomat e sëmundjes. Por, specialistët shprehen se qendrat shëndetësore në rrethe nuk kanë numra telefoni në dispozicion të qytetarëve, për të njoftuar mjekun. Sipas specialistëve, të prekurit duhet të lajmërojnë mjekun e familjes, që të shkojnë në shtëpinë e pacientit. Më pas do të pritet rezultati i të dhënave laboratorike, nëse pacienti është me grip normal apo është prekur nga virusi H1N1. Më pas, pacienti duhet të drejtohet në QSUT, në dhomat e veçanta për trajtimin e sëmundjes nga specialistët përkatës për trajtimin e sëmundjeve ngjitëse.
Pikat kufitare
ISHP-ja deklaroi se në të gjitha pikat kufitare janë ngritur struktura të posaçme për të identifikuar rastet e mundshme me qëllim parandalimin e përhapjes së virusit A H1N1. Madje inspektorët paguhen me orë shtesë me qëllim që ky shërbim të ofrohet 24 orë. Por, udhëtarët që kthehen nga vendet e huaja për në Shqipëri, nëpërmjet Aeroportit të Rinasit, shprehen se askush nuk i ka pyetur për gjendjen e tyre shëndetësore apo se nga cilët vende vijnë. Ndërkohë që në vendet e huaja, janë pyetur për gjendjen shëndetësore që ka lidhje me virusin. Kjo është një situatë që e bën më të mundshëm importimin e virusit nga vendet e tjera.

Vendet fqinje, rastet e prekura nga virusi H1N1
Ardhja e emigrantëve pritet të sjellë edhe rastet e para të konfirmuara nga virusi, pasi shtetasit shqiptarë janë mbartës të këtij virusi. Situata është e pashmangshme, pasi në vendet fqinje virusi ka kohë që ka gjetur terren. Ndërkohë që në Greqi konfirmohet rasti i tretë i një Shqiptareje të prekur nga ky virus. Specialistët e mjekësisë greke deklarojnë se ndodhen përpara një pandemie në vend. Shumica e personave të prekur janë turistë të huaj që vizitojnë Greqinë. Laboratori i Greqisë së jugut ka deklaruar 22 raste të reja dhe numri i përgjithshëm i pacientëve me gripin A ka shkuar në 187, prej të cilëve 87 janë shëruar plotësisht. Sipas listës së publikuar nga Ministria greke e Shëndetësisë, bëhet fjalë për infektimin e një gruaje shqiptare 36 vjeçe dhe një djali 17 vjeçar, të cilët ende nuk dihet se si e kanë marrë virusin. Kështu, numri i shtetasve shqiptarë të infektuar me virusin H1N1 ka shkuar në tre, brenda një jave.
Ndërkohë që ardhja e emigrantëve në vendin tonë, po shtohet përditë e më shumë. Në Serbi u zbuluan edhe tetë raste të reja me virusin e gripit të derrave A(H1N1), prej të cilëve dhe një shtetase britanike e ardhur për një festival duke e çuar kështu në 34 numrin e personave të prekur në vend nga kjo sëmundje.
Njëzet e shtatë nga këta persona janë infektuar në vende ku sëmundja ka qenë e përhapur si në Argjentinë, Kanada, Britaninë e Madhe, Spanjë dhe SHBA, ndërkohë që shtatë të tjerët janë prekur nga ky virus pasi kanë rënë në kontakt me të sëmurët. Po kështu, Maqedonia, Mali i Zi, Itali etj, kanë konfirmuar raste të të prekurve.

10 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›