E Shtunë, 31 Tetor 2026

Atifete Jahjaga zgjidhet presidente e Kosovës

PRISHTINE- Kosova zgjodhi dje Presidentin e ri, pas doreheqjes se Pacollit. Dje pasdite, ish-zëvendësdrejtoresha e përgjithshme e Policisë së Kosovës, Atifete Jahjaga mori shumicen e votave nga parlamentaret e pranishem ne salle, duke u shpallur keshtu Presidentja e re. Emri i presidentes se re, e para presidente femer ne Kosove vjen pas marreveshjes nje dite me pare mes 3 partive, PDK, LDK dhe AKR.

PRESIDENTJA JAHJAGA: DO PËRFAQËSOJ INTERESAT E TË GJITHË QYTETARËVE
Ora 19:45 ( 7 prill)-Presidentja e sapozgjedhur e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, në fjalën e saj falënderuese në seancën e jashtëzakonshëm të Kuvendit siguroi se, do jetë faktor uniteti dhe do përfaqësojë interesat e të gjithë qytetarëve, pa dallim.
Jahjaga ndër pikat kryesore të fjalës, me të cilën ju drejtua popullit sonte në Kuvend, veçoi bashkëpunimin me institucionet e Kosovës si faktor i unitetit me të gjitha kombësitë që jetojnë në Kosovë, një politike të gjerë bashkëpunuese me vendet fqinje dhe të rajonit, anëtarësimin në Bashkimin Europian, zgjidhjen e problemeve me Sërbinë, etj.
"Zgjedhja ime Presidente e Republikës së Kosovës shpreh qëndrimin konsensual dhe marrëveshjen mes partive politike parlamentare për kapërcimin e krizës politike dhe gjetjen e zgjidhjeve të qëndrueshme për të ardhmen e vendit, duke bërë ndryshimet e nevojshme në Kushtetutën e Kosovës dhe sistemin zgjedhor, si dhe duke caktuar një agjendë të qartë të veprimeve institucionale për tre vjetët e ardhshëm", tha presidentja e sapozgjedhur Atifete Jahjaga duke folur në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit.
Ajo shprehu besimin se do t'i përkushtohet detyrës si Presidente e Kosovës. "Karriera ime pasqyron ndryshimet, në të cilat ka kaluar Kosova gjatë dekadës së shkuar dhe kam përjetuar të gjitha sfidat që kanë çuar në pavarësinë e Kosovës", tha Jahjaga.
Presidentja Atifete Jahjaga e quajti "detyra më sfiduese në karrierën time", atë të Presidentit të vendit.
Ajo u shpreh optimiste për besimin që ka për Kosovën, Qeverinë dhe shpresën për qytetarët.
"Do të përmbushim të gjitha objektivat tona", shtoi Jahjaga, duke pohuar se do të jetë garante e kushtetutshmërisë dhe e ligjshmërisë, faktor unifikues, e paanshme politikisht, mbrojtëse dhe përfaqësuese e interesave të Kosovës, shtet sovran dhe i pavarur, përfaqësuese e të gjithë qytetarëve, pa dallim kombi, feje, race e gjinie.
Presidentja Jahjaga vlerësoi se sikurse gjatë shërbimit në Policinë e Kosovës ku i është përmbajtur vlerave që e bëjnë Kosovën unike se "si Presidente e vendit, do të përpiqem çdo ditë, të sigurohem se Kosova po i dëshmon vlerat më të mira të Deklaratës së Pavarësisë dhe Kushtetutës."
"Ideali i të gjithë qytetarëve të Kosovës është anëtarësimi në Bashkimin Evropian dhe miqësia e përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës", theksoi ajo, duke premtuar se do të punojë "për të përmbushur të gjitha standardet e nevojshme në respektimin e të drejtave dhe lirive të njeriut, në sundimin e ligjit, arritjen e objektivave të larta në arsim, në shëndetësi, sidomos në zhvillimin ekonomik, për t’i siguruar qytetarëve një jetë të mirë, një jetë të qetë dhe të prosperueshme të normalitetit evropian".
Duke iu drejtuar më tej qytetarëve, presidentja Jahjaga u ndal tek procesi i nisur me dialogun me Serbinë, ku u shpreh se "është një proces krejt normal ndërmjet vendeve që kanë pasur mosmarrëveshje dhe konflikt në të kaluarën".
"Në këtë proces dialogu, ne, të dy vendet fqinje, që ishim të detyruar ta ndajmë të shkuarën, do të jemi të detyruar ta ndajmë edhe të ardhmen, pasi nuk mund ta ndryshojmë të kaluarën, ne do ta ndërtojmë të ardhmen, duke mësuar nga gabimet e të shkuarës. Dialogu do të ketë sukses. Pas përfundimit të tij, rajoni do t’i kthehet paqes dhe stabilitetit. Kosova dhe Serbia do ta kenë rrugën e qartë të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, duke ndihmuar e jo duke penguar njëra-tjetrën. Qytetarët e të dyja vendeve do t’i kthehen jetës normale, bashkëpunimit dhe zhvillimit, që do t’u sigurojë një ardhmëri të qetë dhe më të mirë".
Në vështrimin e saj, "të gjitha zgjidhjet nga dialogu ndërmjet palëve, duke përfituar të gjithë, do të jenë evropiane, që do të kenë për bazë praktikat dhe përvojat më të mira të Bashkimit Evropian".
Duke u ndalur tek politika e Jashtme, Presidentja Jahjaga shprehu këndvështrimin e saj se Kosova është shtet i lirë dhe i pavarur, faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon dhe më gjerë, që zhvillon marrëdhënie të mira dhe fqinjësore me të gjitha vendet.
"Kosova do të ketë një rol më aktiv në politikën e jashtme, duke u bërë anëtare në nismat dhe në organizatat rajonale dhe botërore, duke rritur numrin e njohjeve dhe duke vendosur marrëdhënie diplomatike, duke bërë marrëveshje bilaterale dhe shumëpalëshe dhe duke krijuar rrethanat e brendshme dhe të jashtme që sa më shpejt Kosova të bëhet anëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara", tha ajo.
Ajo kërkoi që si Presidente e Kosovës, një nder por edhe përgjegjësi e madhe, të bashkëpunojë me institucionet e Kosovës. "T’i shfrytëzojmë këto vitet e tranzicionit për të bërë reforma të gjithanshme për të përshtatur legjislacionin me Bashkimin Evropian, për të fituar udhëzimin për liberalizimin e vizave dhe mekanizmin e qartë në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian", tha Jahjaga..

Presidentja e sapozgjedhur, për besimin dhe përgjegjësinë e madhe që iu dha, falënderoi edhe në gjuhët e komuniteteve pakicë në Kosovë.

JAHJAGA ZGJIDHET PRESIDENTE E KOSOVES
Ora 19:30 (7 prill)-Me 80 vota për Kuvendi i Kosovës ka zgjedhur ish-zëvendësdrejtoren e përgjithshme të Policisë së Kosovës, Atifete Jahjaga, në postin e presidentes.

Jahjaga ishte kandidatja e përbashkët e PDK-së, LDK-së dhe AKR-së në bazë të marrëveshjes së arritur ndërmjet liderëve të këtyre tri partive politike nën ndërmjetësimin e ambasadorit amerikan në Prishtinë, Kristofer Dell.

Gjatë procesit të votimit, ajo kishte si kundërkandidate Suzana Novobërdaliun, deputete e AKR-së, e cila mori vetëm 10 vota. Nga 100 deputetët e pranishëm në sallë, 10 vota të tjera ishin të pavlefshme.

KUVEND, NIS VOTIMI PER PRESIDENTIN
Ora 19:00 ( 7 prill)-Në Kuvendin e Kosovës, ligjvënësit kanë filluar të hedhin votat e tyre për kandidatet presidenciale, Atifete Jahjagën dhe Suzanë Novobërdaliun.
Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca Kosova e Re kanë shprehur mbështetjen e tyre për zonjën Jahjaga.

Lëvizja Vetëvendosje e ka kundërshtuar këtë kandidaturë dhe marrëveshjen e arritur dhe si rezultat ka braktisur sallën e Kuvendit. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nuk është deklaruar nëse favorizon ndonjërën nga kandidatet, por ka thënë se do të jetë e pranishme në sallë.

Kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, para nisjes së votimit, i cili është i fshehtë, ka thënë se në sallë janë të pranishëm 101 deputetë.
Votimi për presidentin e vendit kërkon praninë e 2/3 të ligjvënësve brenda në sallë.

Në bazë të Kushtetutës, në garë për postin e presidentit duhet të ketë të paktën dy kandidatë; zgjedhja në këtë post bëhet me dy të tretat e votave gjatë dy raundeve të para të votimit, përderisa në raundin e tretë mjafton edhe shumica e thjeshtë.

Kriza e zgjedhjes së presidentit pasoi aktvendimin e Gjykatës Kushtetuese, sipas të cilit, zgjedhja e Behxhet Pacollit në postin e presidentit, në seancën e 22 shkurtit, nuk i kishte respektuar procedurat kushtetuese. Fillimisht, Pacolli pati rikandiduar për postin e presidentit, por ai nuk arriti të sigurojë mbështetjen e opozitës, andaj bashkë me kryeministrin Hashim Thaçi dhe me ndërmjetësimin e ambasadorit amerikan në Prishtinë, Kristofer Dell, u përfshinë në bisedime me kreun e LDK-së, Isa Mustafa.

Bisedimet triditore sollën si rezultat marrëveshjen që Behxhet Pacolli të tërhiqet, kurse Atifete Jahjaga të kandidohet si kandidate e përbashkët e PDK-së, LDK-së dhe AKR-së për president.

Si pjesë e marrëveshjes u përfshi edhe pajtimi për ndryshime kushtetuese, reforma zgjedhore dhe zgjedhje presidenciale pas afërsisht një viti e gjysmë dhe zgjedhje parlamentare pas afërsisht dy vjetësh e gjysmë.

(d.b/BalkanWeb) Lidhje te tjera Ja kush është Presidentja e re e Kosovës Fytyra newborniste e Jahjagës... (Nga: Alba Malltezi) Tirana përshëndet zgjedhjen e Presidentes kosovare

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›