E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi anulon vizitën në Këshillin e Europës

Presidenti do të zhvillonte një vizitë dyditore në Strasburg. Shkaku: Përplasje axhende

Presidenti Bamir Topi anulon vizitën në Këshillin e Europës. Kreu i shtetit kishte programuar në axhendën e tij një vizitë dyditore në Strasburg, ku kishte programuar edhe një fjalim përpara pjesëmarrësve nga 16 vende të Europës Juglindore në kuadër të Universitetit Veror për Demokraci. Lajmin e ka bërë të ditur televizioni i Prishtinës, “Koha Vizion”. Një mosakordim i takimeve në Strasburg dhe një përplasje axhendash ka qenë arsyeja kryesore që Presidenti Bamir Topi të ndryshonte mendim në minutën e fundit, për të mos udhëtuar drejt selisë qendrore të Këshillit të Europës. Presidenti ka qenë i ftuar në Strasburg për të marrë pjesë në një ceremoni që organizohej nga selia qendrore e Këshillit të Europës, ku marrin pjesë edhe studentët shqiptarë të shkollës politike të Këshillit të Europës. Kreu i shtetit, përpos vizitës, nuk ka mundur dot të caktojë në axhendën e tij një takim me sekretarin e Këshillit të Europës dhe për këtë arsye vizita e tij është anuluar në momentin e fundit. Presidenca shqiptare nuk prononcohet në lidhje me këtë vizitë, ndërkohë që në axhendën e këtij takimi ishte planifikuar vizita e Presidentit Topi dhe pjesëmarrja e tij në Strasburg. Vizita ishte parashikuar të zgjaste dy ditë në selinë qendrore të Këshillit të Europës.

Arsyeja

Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi, ka anuluar vizitën e paraparë për në Këshillin e Europës, në Strasburg, dhe shkak për këtë është bërë mospërcaktimi i një takimi të mundshëm me sekretarin e Këshillit të Europës. Ai është dashur të flasë para 600 pjesëmarrësve nga 16 vendet e Europës Juglindore dhe Kaukazit, në kuadër të Universitetit Veror për Demokraci, që mbahet që prej një jave në këtë qytet të Francës. Arsyeja e anulimit është se Presidentit Bamir Topi në momentet e fundit i është ndërruar axhenda. Presidentit Topi i është thënë që nuk do të pritet nga sekretari i Këshillit të Europës, Thorbjorn Jagland, dhe disa personalitete të tjera të Këshillit të Europës, të parapara më herët. Mospritja në nivel të lartë duket se e ka tendosur Presidentin Topi dhe ai ka marrë vendim që të mos udhëtojë për në Strasburg. Sipas raportimit të mediave kosovare që i kanë bërë jehonë këtij lajmi, zyrtarët e Këshillit të Europës kanë thënë se ky nuk është ndonjë incident diplomatik, duke shtuar se Presidenti është njoftuar me kohë. Po kështu, mediat kosovare raportojnë se Ambasada e Shqipërisë në Strasburg ka thënë se marrëdhëniet me Këshillin e Europës janë të mira, përkundër këtij incidenti të vogël. Arsyeja është e qartë se pse kreu ynë i shtetit ka anuluar vizitën: për shkak të pakënaqësisë së përcaktimit të axhendës që i është rezervuar në takimet pranë Këshillit të Europës. Në fakt, takime të nivelit të tillë të lartë duhet të kenë të përcaktuara në axhendë edhe takime të një niveli të tillë dhe si rrjedhojë kreu i shtetit duket se ka preferuar më shumë të qëndrojë në Shqipëri, sesa të niset për një udhëtim të tillë drejt Strasburgut.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›