E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rritja e pensioneve, hyn në fuqi vendimi

ISSH bën gati listat për shpërndarjen e fondeve. Procedurat, në kohë rekord

Ndryshe nga vitet e mëparshme, vendimi për rritjen e pensioneve deri me 10 për qind ka hyrë në fuqi në kohë rekord, brenda 24 orëve nga miratimi në Këshillin e Ministrave. Në datën 1 korrik, në Fletoren Zyrtare është botuar vendimi i qeverisë, duke i hapur rrugë fillimit të procedurave për shpërndarjen e fondeve. Instituti i Sigurimeve Shoqërore ka nisur punën për hartimin e listave dhe përllogaritjen e shumave për kategoritë e caktuara që preken nga vendimi. Janë rreth 540 mijë pensionistë që përfitojnë nga rritja, ku pjesa dërrmuese do të marrë një shtesë prej 6 për qind më shumë dhe gati 160 mijë do të përfitojnë një vlerë të rritur prej 10 për qind.

Procedurat

Burime zyrtare nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore deklarojnë për “Shqip” se është firmosur fatura e parë me vlerë 2.5 milionë dollarë, që i hap rrugë ndarjes së fondeve për të gjitha kategoritë e pensionistëve, në fshat dhe qytet. “Pritet vetëm sinjalizimi nga Ministria e Financave dhe disa rakordësi me postën, e cila do të merret me shpërndarjen e fondeve”, pohojnë burime të ISSH-së.

Vendimi

Ndryshe nga vitet e kaluara, fatura për të përballuar rritjen e pensioneve do të jetë më e ulët, rreth 20 milionë dollarë, nga 30-35 milionë dollarë. Sakaq, në qarqet e ekspertëve kanë nisur debatet rreth faktit nëse qeveria i ka mundësitë për të përballuar faturën financiare, kur pritet që javën tjetër do të ketë një rritje, kësaj here të pagave për punonjësit e administratës. Sipas Ministrisë së Financave, rritja që iu bë pensioneve në këtë fillim korriku ishte më e larta dhe i përputhet planit të qeverisë për të mundur efektet që rrjedhin nga inflacioni. Sipas vendimit të qeverisë, rritjen më të madhe do ta kenë pensionistët e fshatit, me rreth 10 për qind, kurse qyteti do të ketë një rritje që fillon nga 4 për qind, deri në 6 për qind. Pavarësisht kësaj, pensionet e qytetit kanë rritjen më të madhe, për shkak të vlerës së tyre. Sa i takon nivelit të tyre, opozita ka hedhur dyshime mbi rritjen, madje duke i quajtur qesharake, pasi nuk përputhen me nivelin aktual të çmimeve.

Kompensimet

“Edhe pas kësaj rritjeje, pensionisti, krahas të ardhurave nga pensioni do të vazhdojë të marrë të ardhura të tjera që jepen me vendime të veçanta të Këshillit të Ministrave si 150 lekë në muaj kompensim për diferencën e çmimit të bukës, 350 lekë në muaj si kompensim për energjinë elektrike dhe 414 lekë në muaj për çdo pjesëtar të familjes që është në varësi ekonomike etj.”, bën me dije zyra e shtypit në ISSH. Gjithashtu do të vazhdojë të përfitojë nga politikat e kompensimit të pensioneve sipas VKM Nr. 401, datë 21.06.2006, kompensim për 500 lekë në muaj dhe sipas vendimit të datës 27 dhjetor 2006 në masën prej deri 760 lekësh në muaj dhe në masën 190 lekë në muaj.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›