E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi apel Politikës: Axhenda qytetare mbi cdo axhendë tjetër

TIRANE-Presidenti Bamir Topi i kërkon klasës politike të tregojë përgjegjshmëri dhe të vendosë axhendën qytetare mbi cdo axhendë tjeter.
Këto deklarata kreu i shtetit i bëri gjate një konference te organizuar per 20-vjetorin e marrdhënieve SHBA-Shqipëri, ku i pranishem ishte dhe ambasadori amerikan, Aleksander Arvizu.

“Gjej rastin të apeloj sot të gjithë aktorët politikë në vend, ata që janë mandatuar ose kanë zgjedhur të përfaqësojnë vullnetin e qytetarëve, që në sjelljen e tyre politike dhe institucionale të dëshmojnë kurajo e përgjegjësi për të vendosur axhendën qytetare mbi çdo axhendë politike të ditës, dhe kështu, për të jetësuar në praktikë vlerat dhe parimet e demokracisë tek të cilat besojmë. Duke vepruar kështu politika vihet në funksion të qytetarëve dhe u shërben siç duhet interesave të vendit duke dëshmuar njëherësh respekt thelbësor për partneritetin dhe mbështetjen e jashtëzakonshme të Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian dhënë Shqipërisë gjatë këtyre dy dekadave”, theksoi Presidenti i Shqiperise.

Topi theksoi më tej se sjellja dhe oratoria e disa politikanëve nuk është në përputhje me standartet demokratike.

“Politikanët tanë shfaqen në publik idhtarë të vlerave perëndimore; në praktikë disa prej veprimeve dhe vendimeve të tyre nuk gjejnë përputhje me këto standarde demokracie. Sjellja e dyzuar, – me distancë të madhe midis të folurës dhe praktikës, – duhej të ishte tipar i kapërcyer tashmë i tranzicionit. Shpeshherë dëgjojmë të thuhet se qytetarët janë disa hapa përpara politikës për nga vizioni i tyre për vendin dhe sakrificat që ata bëjnë për të rifituar kohën e humbur”.

Sipas Presidentit, qytetarët duhet të dëgjohen dhe jo t’u kufizohen liritë dhe hapësirat e tyre.
“Unë besoj se ky vëzhgim është i drejtë. Ne kemi një popullsi të re në moshë, plot energji dhe me etje të madhe për ndryshim. Ata meritojnë të dëgjohen, të respektohet vullneti i tyre i lirë dhe që produktet politike t’u zgjerojmë, e jo t’u kufizojnë liritë dhe hapësirat e tyre për të ardhmen”.

Duke qenë se Shqipëria aderon në NATO dhe aspiruese për në Bashkimin Evropian, Kreu i Shtetit theksoi se, ky vend meriton të ketë një sjellje të re politike, një mënyrë të re mendimi dhe veprimi.

(d.b/BalkanWeb) Lidhje te tjera VIDEO: Topi: Politika të përfaqësojë qytetarin jo interesat personale

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›