Topi apel per zgjedhjet e 8 majit

Kreu i shtetit ka vlerësuar rolin e pushtetit vendor duke theksuar se shpeshherë ka nënvlerësim nga qeveria qendrore.
Topi ka kritikuar ndikimin e politikës e cila ka interferuar në disa kompetenca të pushtetit vendor duke bërë që projekte të caktuara të dështojnë.
“Bëj apel në lidhje me zgjedhjet e datës 8 maj. Është momenti më i rëndësishëm që këto zgjedhje të zhvillohen në qetësi të plotë, pas një situate të tensionuar politike, gati në pozicionin e një konfliktualiteti të shprehur. Zgjedhjet duhet të zhvillohen në korrektësi sipas ligjit, ku pjesëmarrja e qytetarit duhet të jetë e madhe. U bëj apel qytetarëve të marrin pjesë në zgjedhje. Komunikimi zgjedhor nuk duhet të jetë negativist. Uroj që të dalin fitues njerëzit më të mirë. I bëj thirrje të gjithëve të bëjnë një fushatë profesionale”, deklaroi Topi.
“Roli i qeverisjes vendore është i jashtëzakonshëm. Është ai pushtet që ne ndjejmë më afër. Ky pushtet, ndonëse vetë politika qendrore i ka dhënë mundësi të zhvillohet, në mjaft raste edhe nënvleftësohet. Është bërë progres, por besoj se qytetarin ne duhet ta ndihmoijmë me politika bashkëpunuese në nivel qendror”, është shprehur Topi.
“Një qytetar i thjeshtë e ka të vështirë të ndajë tematikën e politikës qendrore me atë lokale. Ndërkohë që në vendet që ne dëshirojmë të shkojmë, politikat kanë një ndarje shumë të qartë. Deshiroj që politika të jetë më profesioniste dhe specifike për qytetarin. Duke përdorur terma të përditshme, rrezikojmë t’i shkëputemi elementëve të rëndësishëm që i interesojnë njerëzve. Shqipëria demokratike ka një kompozicion shumë të larmishëm ku ka edhe njerëz indiferentë dhe neutralë, ku të gjithë së bashku jetojmë në një shoqëri që duhet të gëzojnë të gjitha frytet e taksave që paguajnë”, tha Topi.
“Rastin ekstrem e kemi në Tiranë kur ka një projekt të miratuar që në 1989 dhe vjen viti 2011 dhe ende polemizohet për një çështje që ka të bëjë me një element infrastrukturor ku do të kalojnë të gjithë, të majtë e të djathtë. Do dëshiroja që edhe transferimi i pronave të vendoset në funksion të pushtetit vendor”, theksoi Topi.