E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi apel politikës për zgjedhje të lira e të ndershme

Autori i Lajmit: red.
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, u bën thirrje partive politike për të krijuar mundësinë e zhvillimit të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. 28 Qershori, sipas Kreut të Shtetit, është mundësia e menjëhershme që i jepet Shqipërisë për të vërtetuar para aleatëve se kemi merituar anëtarësimin me të drejta të plota në NATO, por dhe për të ecur në të njëjtën rrugë drejt Bashkimit Evropian. "Zgjedhjet e ardhshme parlamentare të 28 Qershorit janë jo vetëm testi i Shqipërisë për të ecur më tej në anëtarësimin e saj në Bashkimin Evropian, por edhe guri i provës më i afërt që anëtarësimin tonë në NATO, e kthen në përgjegjësi të përmbushur me sukses dhe të përligjë besimin që aleatët tanë na kanë dhënë. Standardet e kërkuara të zgjedhjeve politike të qershorit nuk përmbushen vetëm duke ndërtuar infrastrukturën e nevojshme zgjedhore, por edhe duke bërë një fushatë transparente, programore, vizionare dhe etike për të ndërgjegjësuar qytetarët se vetëm nëpërmjet votës së lirë, ata mund të bëhen pjesë e zgjidhjes së problemeve dhe ndërtimit të së ardhmes së tyre”, - theksoi Topi. Sipas tij, përpos detyrimit ligjor ndaj shtetasve të saj, politika shqiptare nëpërmjet zgjedhjeve parlamentare të muajit qershor, ka përgjegjësinë e madhe ta shkëpusë përfundimisht këtë vend nga udhëkryqet historike dhe politike. Topi u shpreh se reforma në drejtësi, rritja e sigurisë kombëtare dhe garantimi i pavarësisë së institucioneve, janë të tjera sfida që Shqipëria duhet të përmbushë. “Përfundimi i kornizës ligjore të nevojshme, së bashku me reformat në sistemin e Drejtësisë, është kriter i domosdoshëm për t u përmbushur nga një vend anëtar i NATO-s, apo një vend që pret të aplikojë për kandidat në Bashkimin Evropian”, - ka thënë shprehimisht Topi.

Ky lajm është publikuar: 31/03/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›