Presidenti transferon 7 prokurorë
TIRANE - Presidenti Bamir Topi dekreton prokuror Apeli në Tiranë kreun e task-forcës së kryeqytetit. Kështu mbrëmjen e djeshme, zyra e shtypit e institucionit të kreut të shtetit pohoi se në mbështetje të nenit 149 të Kushtetutës, si dhe ligjit për prokurorinë me propozim të kryeprokurores Ina Rama, Presidenti Topi dekretoi shtatë emërime dhe transferime prokurorësh. I pari në listën e Topit është emri i kreut të task-forcës së kryeqytetit Altin Dumani, i cili nga detyra e prokurorit në Shkallën e Parë, emërohet prokuror në Apelin e Tiranës. Afrim Shehu dhe Artur Cara, me detyrë oficerë të policisë gjyqësore në Prokurorinë e Tiranës, emërohen prokurorë, respektivisht në Durrës dhe Fier. Gentjan Stoja, me detyrë oficer i policisë gjyqësore në Prokurorinë e Korçës, emërohet prokuror pranë kësaj prokurorie. Më tej Topi ka dekretuar transferimin e prokurores Afërdita Vatnikaj, nga Prokuroria e Lezhës në kryeqytet; prokurores Suela Salavaci nga Prokuroria e Durrësit në Tiranë; si dhe prokurorin Zeqir Hodo nga Kruja në Tiranë. Në nenin dy të dekretit të Presidentit të Republikës pohohet se ky dekret hyn në fuqi menjëherë, çka do të thotë se prokurorët e transferuar apo të emëruar nisin punë menjëherë pranë këtyre dikastereve. f.m.