Topi dekoron Emirin e Kuvajtit, fton investitorët në Shqipëri

Biznesi kuvajtian është i mirëpritur në Shqipëri, duke pasur parasysh se mundësitë për investime janë të shumta dhe kuadri ligjor tepër i përshtatshëm. Ka qenë kjo deklarata e Presidentit të Shqipërisë, Bamir Topi, gjatë takimit me Kryetarin e Dhomës së Tregtisë kuvajtiane, Ali Muhamed Tunajan Al-Ganim, në Kuvajt.
Gjithashtu kreu i Shtetit ka theksuar se marrëdhëniet dypalëshe mes dy vendeve tona janë futur tashmë në një terren të natyrshëm bashkëpunimi, duke vlerësuar veçanërisht shkëmbimet tregtare në rritje të bizneseve të vendeve tona. Ndërkohë që Presidenti Topi ka vënë në dukje edhe situatën e përmirësuar të paqes dhe stabilitetit që mbizotëron në rajonin e Ballkanit, duke theksuar se tashmë mbarë rajoni është i projektuar tërësisht drejt integrimit në familjen e madhe evropiane.
Ndërsa nga ana e tij Kryetari i Dhomës së Tregtisë së Kuvajtit, Ali Muhamed Tunajan Al-Ganim, u shpreh se lidhjet mes dy popujve tanë janë shndërruar tashmë në raporte bashkëpunimi, miqësie dhe partneriteti të ndërsjellë, duke vlerësuar në të njëjtën kohë arritjet e Shqipërisë, si dhe duke uruar që së shpejti të bëhet një partner i rëndësishëm ekonomiko-tregtar dhe një aleat për siguri e bashkëpunim.
Gjithashtu në kuadër të vizitës së tij zyrtare në Shtetin e Kuvajtit, Topi ka zhvilluar dhe një takim me përfaqësues të kompanisë më të madha të biznesit të Kuvajtit ku ka theksuar se në Shqipëri ekziston kuadri i duhur ligjor, si edhe politikat fiskale, për sa i përket hapjes së bizneseve të reja dhe thithjes së kapitaleve të huaja.
Ndërkohë që gjatë takimit me Emirin e Kuvajtit, sheikun, Presidenti Bamir Topi në shënjë vlerësimi për ndihmën e tij ndaj Shqipërisë e ka dekoruar me Urdhërin Gjergj kastrioti Skënderbej. Ndërsa nga ana e tij Emiri sheiku Al-Sabah e dekoroi presidentin me "Urdhërin e Lartë të Mubarakut".