Tragjedia e Himarës, faktet e para rrëzojnë konkluzionet e Policisë së Shtetit

Autobusi i aksidentuar

Humnera ku ra autobusi me studentë

Homazhi për viktimat e aksidentit
Nga hetimet për tragjedinë e Himarës kanë dalë në dritë disa fakte konkrete. Në një kohë kur brenda kësaj jave Prokuroria e Vlorës pritet të nxjerr shkaqet e aksidentit, faktet e para rrëzojnë konkluzionet e nxjerra nxitimthi nga Policia e Shtetit, e cila tha se shkaku ishte shpejtësia e lartë. Edhe pse ministri i Transportit, Sokoll Olldashi, i cili pak minuta pas aksidentit të rëndë tha se ka dyshime që shoferi të ketë pësuar atak kardiak, ka larguar çdo ndikim të faktorëve të rrugës, por faktet e para flasin ndryshe. Faktet flasin ndryshe edhe nga përfundimet e Policisë së Shtetit, e cila ia hodhi fajin shoferit të autobusit.
Nga hetimet e parametrave të rrugës, segmentit ku ndodhi aksidenti me pasojë 13 persona të vdekur, ka rezultuar se në kthesën ku autobusi ra në greminë, rruga ka një tendencë nga krahu i greminës. Në kushte optimale tendenca duhet të ishte e kundër në mënyrë që forca e fërkimit të mbajë automjetin në karrexhatë.
Gjithashtu rezulton se nuk janë respektuar perimetrat që kërkohen në të tilla kthesa. Standardet zyrtare kërkojnë që këto lloj korsishë, të kenë një perimetër kthese prej 350-450 metrash. Ndërkohë kthesa në fjalë është një kthesë e dyfishtë. Kjo do të thotë që perimetri i dy kthesave të njëpasnjëshme do të duhej të ishte prej 1400-1800 metrash. Në të vërtet kthesa ka një perimetër vetëm 60 metra.
Jashtë perimetrave të lejuar është edhe pjerrësia e rrugës, e cila është 10% ndërkohë që në rrugët me këtë gjerësi korsie nuk lejohet më shumë se 3-7%.
Në një kohë që dalin në pah fakte fshehura, shteti ende nuk ka plotësuar një nga kërkesat e prokurorisë Vlorë, që është nxjerrja e autobusit nga humnera. Kjo për shkak se as Ministria e Mbrojtjes dhe as ajo e Brendshme nuk kanë mjetet për të realizuar një operacion të tillë.
Kjo gjë është bërë pengesë për vijimin e hetimeve pasi ekspertët janë detyruar të zbërthejnë pjesët e autobusit për të analizuar çdo element që mund të ketë sjellë aksidentin tragjik. /F.S/