E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mediu: Gërdeci ndodhi për faj të Shtabit

 

Trazhgim Sokolaj

Megjithatë nga deklarimet që Fatmir Mediu ka dhënë dje në Prokurori, duket se taktika e tij ka qenë sulmi. Ish-kreu i dikasterit të Mbrojtjes, tashmë i dorëhequr dhe pa imunitet parlamentar, ka fajësuar Shtabin e Përgjithshëm dhe Forcat e Armatosura si pjesëmarrëse në urdhrat e dhënë për Gërdecin, caktimin e tij si vend demontimi dhe mosmarrjen e masave për parandalimin e tragjedisë. Mediu ka deklaruar në përgjegjësinë e tij ligjore para prokurorëve se tragjedia e Gërdecit ndodhi për shkak të përqendrimit të sasisë së lartë të barutit pranë pikës së çmontimit duke shtuar se, “Shtabi i Përgjithshëm ka përgjegjësi për transportin, ruajtjen, zgjedhjen e vendit ku kryhet demontimi”.
Kontrolli
“Kam nxjerrë një urdhër për ngritjen e grupit të kontrollit në Gërdec. Pjesë e këtij grupi ishin ushtarakë dhe gjeneralë, që mund ta bënin këtë detyrë. Pas ngritjes së grupit të punës u morën mendimet e depos së Policanit dhe dy depove të tjera në Gramsh. Por rezultoi se në Polican, kostoja e demontimit ishte më e lartë se sa ajo vlerë që ofroi kompania SAC, ndërkohë që dy depot e tjera nuk e merrnin përsipër demontimin”, është shprehur Mediu gjatë dëshmisë së tij në Prokurori, lidhur me caktimin e Gërdecit si vend demontimi. Ai tha para prokurorëve se, për të përcaktuar kriteret dhe çmimet e çmontimit të municioneve janë ngritur dy komisione, të cilat kanë qenë krejtësisht strukturë e Shtabit të Përgjithshëm dhe Forcave të Armatosura. “Komisionet janë shprehur në vlerësimet e tyre se gjithçka ishte perfekt dhe sipas rregullave në fuqi”, ka sqaruar ish-ministri i Mbrojtjes. Ai vijoi se, ishte vendosur që transporti i municioneve drejt Gërdecit të bëhej me mjete të ushtrisë për shkak të rrezikshmërisë së lartë dhe kujdesit që duhej treguar. Më tej, Mediu në dëshminë e tij ka folur për urdhrat e firmosur prej tij, duke thënë se çdo urdhër i ministrit të Mbrojtjes, është iniciuar nga strukturat ushtarake, të cilat sipas tij, kanë qenë të përfshira në hartimin e urdhrave. Për këtë, sipas Mediut, strukturat e ushtrisë kanë pasur korrespodencë mes tyre për veprimet që kanë kryer, ndërsa ndërmarrja e eksport-importit MEICO, ka qenë në dijeni për demontimin në Gërdec. Mediu pohoi para pro-kurorëve se, ushtria dhe MEICO, kanë qenë të informuara për daljen e municioneve nga depot e ushtrisë, transportin e tyre dhe mjetet që janë përdorur në gjithë këtë proces.
Ushtria e Shtabi
“Forcat e Armatosura kanë dijeni dhe kanë deklaruar se çdo gjë ishte perfekt në këtë proces”, është shprehur më tej ish-ministri Mediu gjatë deklarimeve të tij. Ai ka sqaruar se Ministria e Mbrojtjes, mbështet në aspektin teknik montimin dhe demontimin e municioneve, ndërsa detyrat dhe përgjegjësitë për licencimin e vendit të demontimit, të kompanive që do të bëjnë demontimin, si dhe puna që bëhet për transportin e municioneve, i përkasin Shtabit të Përgjithshëm. Duke folur lidhur me gjeneralët e ushtrisë dhe rolin e tyre në tragjedinë e Gërdecit, Mediu është shprehur në Prokurori, se sipas kuadrit ligjor ushtarakët, kur kanë fuqi drejtuese, pra komanda nën udhëheqjen e tyre, mbajnë përgjegjësi për atë që ndodh. Duke vijuar sqarimet për Gërdecin, Mediu ka theksuar se, ligjet ngarkojnë Forcat e Armatosura për licencimin e depove të çmontimit të municioneve. Ish-ministri ka hedhur dyshime ndaj ish-shefit të Shtabit të Përgjithshëm, Luan Hoxha, duke thënë se ai ka informuar se në vitin 2007 ishin demontuar 12 mijë tonë municione të tepërta, çka tregon se Shtabi dhe FA, ishin në dijeni për çmontimin e municioneve në gjithë vendin. Duke iu referuar ngjarjes së Gërdecit si një tragjedi e rëndë që cenoi sigurinë e vendit, Mediu u shpreh se, “Forcat e Armatosura përgjigjen për garantimin e sigurisë dhe mbrojtjen e vendit, ndërsa shefi i Shtabit të Përgjithshëm ka autoritet për të vepruar nëse cenohet siguria publike e vendit”. Duke vënë në dukje se shefi i Shtabit nuk ka vepruar edhe pse sipas tij, ka qenë në dijeni për gjithçka ndodhte në Gërdec, Mediu nënvizoi më tej se, ka qenë pikërisht Shtabi i Përgjithshëm ai që ka dhënë konfirmimin për nënshkrimin e kontratës së çmontimit të municioneve me kompaninë amerikane SAC, e cila kishte ngritur punishten e çmontimit në Gërdec.

Shkëlzen Berisha: Nuk kam qenë në Bosnjë as vetëm, as me Delijorgjin

Shkëlzen Berisha, djali i kreut të qeverisë, ka reaguar dje duke deklaruar se nuk ka qenë asnjëherë në Bosnjë-Hercegovinë. Në një deklaratë për shtyp ai është shprehur: “Detyrohem të bëj këtë sqarim, pasi në frymën e maskaradës së shpifjeve dhe gënjeshtrave, gazeta, nën diktatin e opozitës, shpërndante shpifjen e radhës sipas së cilës unë kam udhëtuar në Bosnjë në shoqërinë e Mihal Delijorgjit, për llogari të bizneseve të këtij të fundit, dhe me një person tjetër, të cilit nuk i përmendet emri”. Shkëlzen Berisha e ka konsideruar mashtrim përfshirjen e emrit të tij për një udhëtim në Bosnjë, teksa ka shtuar se në këtë vend nuk ka udhëtuar asnjëherë. “I bëj me dije publikut se ky është një mashtrim i ulët i bërë nga njerëz akoma më të ulët, pasi unë nuk e kam vizituar kurrë dhe asnjëherë këtë vend, as vetëm e as i shoqëruar nga të tjerë”, vijoi më tej Shkëlzen Berisha. Sipas tij, “në pamundësi për të hedhur në gjyq autorët e kësaj shpifje të denjë vetëm për moralin e tyre, për shkak të një norme etike të respektuar prej kohësh nga familja ime, nuk më mbetet veçse të denoncoj abuzimin amoral të autorëve të saj, me lirinë e shprehjes dhe profesionin e gazetarit”. Pas tragjedisë së 15 marsit në Gërdec ku mbetën të vrarë 26 persona, emri i djalit të kryeministrit, Shkëlzen Berisha, u përmend disa herë, sidomos nga opozita lidhur me përfshirjen e tij në këtë aferë korruptive. Por nga ana tjetër Shkëlzeni për të disatën herë radhazi ka hedhur poshtë çdo akuzë, duke thënë se nuk ka asnjë lidhje me këtë ngjarje.

Mediu pret telefonatën e akuzës

TIRANE – Ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, njëkohësisht kryetar i Partisë Republikane, mund t’i kërkohet të paraqitet përsëri për t’u marrë në pyetje në Prokurori. Në momentet e fundit të qëndrimit të tij në organin e akuzës, prokurorët i kanë komunikuar Mediut se, tashmë mund ta lajmërojnë me telefon në rast se shikohet e nevojshme thirrja e tij për të dëshmuar sërish në Prokurori. Në këtë mënyrë, ish-ministri ka lënë Prokurorinë e Përgjithshme, ndërkohë që ka mbetur e hapur mundësia që ai të thirret përsëri në Prokurorinë e Përgjithshme për të dhënë deklarime mbi tragjedinë e ndodhur më 15 mars 2008 në Gërdec. Prokuroria e Përgjithshme konfirmoi dje se do të analizojë deklarimet e dhëna dje nga ish-ministri, për të shqyrtuar më pas një konsideratë të re për rolin e tij në tragjedinë e ndodhur te fabrika e çmontimit në Gërdec, e cila ishte në pronësi të Mihal Delijorgjit, i arrestuar pas ngjarjes bashkë me drejtorin e punishtes Dritan Minxolli dhe ish-kreun e MEICO-s, Ylli Pinari.

Akuza: Urdhri që fajëson Mediun

Trazhgim Sokolaj

Tre muaj pasi imuniteti i tij u hoq nga Kuvendi dhe plot gjashtë muaj pas tragjedisë së Gërdecit, ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, u paraqit dje në Prokurorinë e Përgjithshme.

Të martën, atij i ka mbërritur një fletë-thirrje nga organi i akuzës, ku i kërkohej paraqitja në Prokurori në orën 10:00 të ditës së djeshme, për t’u marrë në pyetje për tragjedinë e Gërdecit si person në hetim për akuzën e “shpërdorimit të detyrës”. Arqile Koça dhe Kujtim Luli kanë qenë prokurorët që i kanë drejtuar më tepër se 40 pyetje ish-ministrit të Mbrojtjes, duke kërkuar prej tij sqarime të hollësishme për tragjedinë që mori jetën e 26 personave dhe plagosi mbi 300 të tjerë. Dy prokurorët e dosjes “Gërdeci” kanë pyetur ish-ministrin duke shënuar edhe përgjigjet e tij, ndërsa në seancë ka qenë i pranishëm edhe drejtori i Drejtorisë së Hetimit në Prokurorinë e Përgjithshme, Zamir Shtylla, i emëruar si drejtues i hetimeve për dosjen e tragjedisë. Fatmir Mediu qëndroi për shtatë orë në Prokurori. Gjatë dëshmisë kanë qenë të pranishëm avokatët e tij Përparim Serani dhe Ardian Visha. Një pjesë të konsiderueshme të përgjigjeve për pyetjet e prokurorëve i kanë dhënë avokatët, ndërsa ish-ministri ka ndërhyrë për të dhënë detaje konkrete lidhur me çështjen. Mediu hyri në Prokurori në orën 09:59 me një mjet “Mercedes-Benz ML” me targa TR 7316 K. Ai ka qenë i qetë gjatë hyrjes në organin e akuzës, ndërsa në dalje nga porta e Prokurorisë derisa hyri në makinë ish-ministri kishte përqendruar vëmendjen tek celulari, ku me sa duket kishte mbërritur një mesazh apo telefonatë. 
Shpërdorimi i detyrës
Pyetjet që prokurorët i drejtuan ish-ministrit Mediu në mënyrë të përmbledhur, kanë qenë një referim i kërkesës së organit të akuzës drejtuar Kuvendit për heqjen e imunitetit të Mediut. Në këtë kërkesë janë renditur mbi 20 shkelje që Prokuroria pretendon se janë kryer prej ish-kreut të dikasterit të Mbrojtjes në raport me ngjarjen e Gërdecit. Në këtë mënyrë, Mediut fillimisht i është kërkuar të japë deklarime të lira lidhur me atë çfarë kishte për të thënë me vullnetin e tij, ndërsa më pas, prokurorët vijuan me pyetjet që kishin përgatitur. Ish-ministri është pyetur për kërkesat që ka marrë nga kompania SAC për çmontim municionesh, procedurat që janë ndjekur për kontratën, mënyrën si u përcaktua vendi ku do të bëhej çmontimi, organizimin e kësaj veprimtarie, marrjen e masave për shmangien e ngjarjeve të jashtëzakonshme, anashkalimin e ushtrisë nga vendimmarrja dhe tre urdhra të nxjerrë prej tij lidhur me Gërdecin. Zyrtarët e Prokurorisë së Përgjithshme, të pranishëm në seancën e pyetjes së Mediut, thanë se ish-ministrit të Mbrojtjes, veç shkeljeve të tjera, i atribuohet hetimi për shpërdorim detyre, konkretisht lidhur me urdhrin nr.2044 të firmosur prej tij më 7 dhjetor 2007.
Urdhri i shpërdorimit
Ky urdhër, sipas Prokurorisë, është marrë në kundërshtim me një vendim të Këshillit të Ministrave, i cili përcaktonte se çmontimi i municioneve të kalibrit të madh, të cilat kishin më tepër rrezik, nuk duhej bërë nga subjektet private. Megjithatë, sipas Prokurorisë, urdhri i Mediut me nr.2044, i ka kërkuar ushtrisë të evidentojë predhat e kalibrit 52-120 milimetër dhe t’i destinojë ato në drejtim të Gërdecit për çmontim, ku në fakt vepronte një subjekt privat, i cili deri në këtë kohë kishte kryer vetëm çmontim fishekësh deri në 12.7 mm. Prokuroria dyshon se me urdhrin nr.2044, Mediu ka vepruar në kundërshtim me VKM-në, por edhe është bërë shkak për dërgimin në Gërdec të municioneve të kalibrit të lartë, të cilat përmbanin sasi të larta baruti, i cili filloi të grumbullohej gjatë çmontimit të predhave në Gërdec. I njëjti urdhër mësohet se implikon edhe gjeneralët e ushtrisë, të cilët kanë marrë pjesë në hartimin dhe zbatimin e tij, madje edhe në transportimin tej sasisë së lejuar të predhave në Gërdec, duke u bërë shkak për grumbullimin e predhave dhe barutit që shkaktoi shpërthimin katastrofik në Gërdec.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›