E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi dekreton ligjin për buxhetin e vitit 2011

TIRANË- Presidenti i Republikës, Bamir Topi, dekretoi sot shpalljen e ligjit "Për buxhetin e vitit 2011", i miratuar në Kuvend në seancën plenare të 2 dhjetorit. Buxheti u miratua vetëm me votat e mazhorancës, ndërkohë që opozita kërkoi rishikimin e tij.

Buxheti 2011 sipas qeverisë, synon të mbështesë 4 sektorë: arsimin, bujqësinë, shëndetësinë dhe infrastrukturën. Nëpërmjet zbatimit të tij, duke filluar nga muaji korrik 2011, pagat parashikohet të rriten nga 5-7 %, ku rritjen më të madhe do ta kenë pagat e ulëta, ndërsa pensionet parashikohen të rriten 10 %, ku sërish do të ketë diferencim, pasi rritjen më të madhe do t'a kenë pensionet e ulëta dhe ato të fshatit.

Gjithashtu, buxheti i ri synon një parashikim realist të treguesve ekonomikë e buxhetore për të arritur objektivat si: ruajtjen e stabilitetit makroekonomik dhe vijimësinë e zhvillimit ekonomik me ritme të larta. Këto parashikime u hodhën poshtë nga të majtët në Kuvend.

Ndërkohë që pas përmbytjeve të fundit në Shkodër opozita vazhdon të këmbëngulë për një rishikim total të buxhetit dhe kalim të fondeve të investimeve vetëm për të zgjidhur përfundimisht problemin e përmbytjeve në veri të vendit.
(m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›