Rigjallërohet projekti i gazsjellësit të Semanit
Qeveria zvicerane kërkon zyrtarisht burime gazi në Azerbajxhan. Nënshkruhet kontrata edhe me Iranin
Brenda dy javëve, nënshkruhen dy marrëveshje dhe fillojnë negociatat për një të tretë
Qeveria zvicerane dëshmoi interesin e saj të drejtpërdrejtë për ndërtimin e gazsjellësit Trans-Adriatik (TAP), duke angazhuar Presidentin e Konfederatës, Pascal Kushpen, për gjetjen e furnitorëve të gazit në Azerbajxhan. Gazsjellësi planifikohet të përshkojë Turqinë, Greqinë dhe Shqipërinë, me destinacion Italinë e Jugut dhe Europën Perëndimore. Projekti i kompanisë është të ndërtojë rreth 520 kilometra për t'u lidhur me gazsjellësin ekzistues Turqi-Greqi, deri në Pulja. Ai pritet të ketë një kapacitet prej 10 BCM (miliardë metër kub) në vit dhe do të kushtojë rreth 1.5 miliardë euro.
"Zvicra ka shpallur interesin për të blerë gaz në Azerbajxhan, ndërsa çështja do të diskutohet me detaje gjatë vizitës së presidentit Kushpen në Baku",- deklaroi Ambasadori i Zvicrës në këtë vend. Presidenti i Zvicrës, z.Kushpen do të vizitojë Azerbajxhanin më 10 maj, ku do të diskutojë në nivel presidentësh, për të gjetur më shumë gaz për këtë gazsjellës. Më herët, kompania EGL, e cila synon të ndërtojë gazsjellësin, ka nënshkruar një kontratë me Iranin për importimin e një pjese të gazit. Marrëveshja u kritikua ashpër nga qeveria amerikane, e cila ka deklaruar se nuk do të ofrojë bashkëpunim me këdo kompani europiane që bashkëpunon me Teheranin. Kontrata me Iranin u nënshkrua më 17 mars dhe planifikon blerjen e 5.5 BCM gaz në vit. Çmimi i gazit varion nga 110 në 250 dollarë për mijë metër/kub.
Vetëm dy javë më parë, EGL nënshkroi një marrëveshje me kompaninë norvegjeze "StatoilHydro" për bashkëfinancimin dhe bashkëmenaxhimin e gazsjellësit. Vendimi përfundimtar për ndërtimin apo jo të këtij gazsjellësi pritet të merret në mes të vitit 2009. Nëse realizohet, gazsjellësi do të jetë funksional më 1012.
Gazsjellës apo terminal
Projekti i gazsjellësit TAP konsiderohet si konkurrencë e drejtpërdrejtë me projektin tjetër, atë të ndërtimit të një terminali përpunimi gazi të lëngshëm në bregun e Semanit. Terminali i gazit në Seman mbështetet zyrtarisht nga US-Exim Bank. Këto dy lloje infrastrukture në transportimin e gazit, janë në konkurrencë të fortë me njëra-tjetrën. Disa qeveri europiane besojnë se mund të zgjidhin problemin e varësisë nga monopoli rus i gazit, pjesërisht duke ndërtuar gazsjellës të rinj dhe pjesërisht duke ndërtuar terminale gazi. Në drejtim të liberalizimit të tregut, terminalet e gazit rezultojnë më efikase. Në rastin e gazsjellësit, ka maksimalisht dy apo tre furnizues dhe në të gjitha rastet ka vetëm një transportues. Në rastin e terminalit, furnizuesit janë praktikisht të pafundmë, (gazi blihet në vende të ndryshme dhe transportohet me anije) dhe blerësit mund të zgjedhin. Aktualisht, ka rreth 20 projekte në të gjithë Europën për terminale gazi. Njëra prej tyre, synon Shqipërinë.
Qeveria shqiptare ka miratuar në mars të vitit të kaluar, njëkohësisht, projektin për gazsjellës dhe atë për terminal gazi. Disa ekspertë besojnë se ndoshta nuk ka vend për të dyja projektet dhe se njëri prej tyre do të sakrifikohet për llogari të tjetrit. Gazsjellësi i EGL synon të furnizojë termocentralet e gazit që kjo kompani ka ndërtuar në Italinë e jugut.
Bashkimi Europian dhe SHBA po kërkojnë me ngulm të shtojnë burimet e gazit në kontinentin e vjetër, ndërkohë që Moska po bën gjithçka që të pengojë liberalizimin duke hapur bisedime të njëanshme me disa qeveri anëtare të BE-së, si dhe duke marrë përsipër investime që ekonomikisht rezultojnë jorentabël, por që kanë vlerë strategjike për Rusinë.