Jo një faqe pirate, por një humor i këndshëm
Ajo që kryeministri Berisha e konsideroi dje si "veprim klandestin, veprim hakersash" etj., e që media gjerësisht e njoftoi si "pirateri kompjuterike", rezulton një faqe e zakonshme nga ato që mund të hapë çdokush, mjafton të paguajë nja 20 dollarë për domenin dhe hostimin. Faqja keshilliministrave.org, e hapur më 30 prill të këtij viti dhe që skadon më 30 prill të vitit të ardhshëm, duket se është një nismë, tërësisht ligjore dhe pa kurrfarë veprimi "piratesk", "klandestin" e të tjera prapashtesa si këto.
Një djalë me banim në Tiranë duket se ka paguar ca para dhe ka shpenzuar nja gjysëm ore punë për ndërtimin e një faqeje ueb. (Emrin e krijuesit të faqes nuk po e shkruajmë për t'i respektuar privacinë).
Domenet, si blihen
Në botën e internetit, çdokush mund të blejë një domen, mjafton që të jetë i lirë. Me togfjalëshin "keshilliministrave", janë aktualisht të lirë ato që mbarojnë me prapashtesat .net, .biz, .us, .info, etj, mjafton që të kesh dëshirë t'i blesh. Nuk ka kurrfarë ligji në rruzullin tokësor që ta konsiderojë një veprim të tillë shkelje ligjore, veprim klandestin apo pirateri kompjuterike. Për të blerë një domen, zakonisht nevojitet një kartë debiti me akses në internet, por mund të paguash edhe me metoda të tjera.
Whitehouse.gov dhe Whitehouse.org
Faqja zyrtare në internet e Shtëpisë së Bardhë është whitehouse.gov. Aty publikohen qëndrimet zyrtare të administratës së presidentit amerikan. Por nëse viziton whitehouse.org, do të shohësh një faqe tërësisht të njëjtë, vetëm se përmban humor mbi presidentin Bush. Kloni i faqes së shtëpisë së bardhë është hapur që në vitin 2001. Në vitin 2003, Shtëpia e Bardhë pati një konflikt me autorët e kësaj faqeje, të cilët u mbrojtën me Amendamentin e Parë, (e drejta e fjalës).
Humor i këndshëm
Kush e lexon keshilliministrave.org, e dallon se autori ka humor të këndshëm dhe për më tepër, nuk dallohet ndonjë fyerje a ndonjë ekzagjerim. Humor i tillë në Shqipëri bëhet çdo ditë, në shumë televizione. Vetëm se cilësimi nga vetë kryeministri i kësaj faqeje si "punë hakerash" vë në dukje faktin se vetë kryeministri nuk e ka të qartë se çfarë janë hakerat dhe se pjesa tjetër e medias që shpalli këtë faqe si "pirateri", nuk ia ka haberin kuptimit të piraterisë kompjuterike.