Berisha: Vendimi fatal, do reformojmë gjykatat
Gjobat, vendimi i Kushtetueses, në kundërthënie me Kolegjin e Gjykatës së Lartë dhe Kodin Administrativ
"Vendimin e Kushtetueses do e zbatojmë, por do reformojmë këtë sistem, pasi nuk e pranojmë këtë situatë"
Nuk mendoj se ekzekutivi do të marrë një hap kundërthënës, por duhet të theksoj një gjë, meqë jemi tek kjo çështje; ka një vendim fatal të gjykatës, i cili i jep të gjithë pushtetin gjykatës dhe, në mënyrë absolute i gjithë pushteti nuk mund t`i jepet gjykatës, sepse në asnjë vend të botës, nuk ka gjithë pushtet gjykata. Por kjo çështje nuk zgjidhet me kundërshtim vendimesh, kjo çështje zgjidhet me reforma.
Nëse ti kapesh me kontrabandë dhe gjykata bllokon vendimin e ekzekutivit, kjo do të thotë se pastaj gjykata bën doganierin, bën taksambledhësin, bën ekzekutivin, bën policin, bën shoferin, pra i bën të gjitha. Ka një vendim në kundërthënie të Kolegjin e Gjykatës së Lartë ndaj tij, sepse është në kundërshtim me Kodin Administrativ. Por këto probleme, vendi duhet t`i zgjidhë me reforma, nuk i zgjidh me përballje të pushteteve njëri me tjetrin.
Kryeministri Berisha ka kundërshtuar gjatë ditës së djeshme vendimin e marrë nga ana e Gjykatës Kushtetuese për shpalljen si antikushtetues të ligjit që detyron biznesin të paguajë gjobat apriori, por nga ana tjetër ka deklaruar se do ta zbatojë atë. "Qeveria është kategorike në zbatimin e të gjitha vendimeve të gjykatave. Do apo jo, ekzekutivi është në zbatim të vendimeve të gjykatave. Ne i qëndrojmë çdo vendimi që do të japë gjykata. Nuk mendoj se ekzekutivi do të marrë një hap kundërthënës, por duhet të theksoj një gjë, meqë jemi tek kjo çështje; ka një vendim fatal të gjykatës, i cili i jep të gjithë pushtetin gjykatës dhe, në mënyrë absolute i gjithë pushteti nuk mund t'i jepet gjykatës, sepse në asnjë vend të botës, nuk ka gjithë pushtet gjykata. Por, kjo çështje nuk zgjidhet me kundërshtim vendimesh, kjo çështje zgjidhet me reforma", - tha Berisha. Me anë të vendimit të marrë gjatë ditës së djeshme, biznesit i lind e drejta që të shkojë në gjykatë për të apeluar vendimet e marra ndaj tij nga ana e Administratës Tatimore. Tashmë pas vendimit të djeshëm të Gjykatës Kushtetuese, për të realizuar këtë apelim në gjykatë, biznesit nuk i duhet që të paguajë gjoba dhe interesa apriori. Por vendimi i djeshëm i marrë nga Gjykata Kushtetuese nuk i heq të drejtën administratës tatimore që të mbledhë detyrimet e nxjerra prej saj, gjatë vlerësimit tatimor. Pra, nuk është e vërtetë që, me anë të një vendimi të marrë dje nga ana e Kushtetuesja, Administratës Tatimore i janë hequr të gjitha të drejtat për të marrë vendime. "Nuk ka asnjë vend të botës, në të cilin gjykata të vendosë masë sigurie për kontrabandistin, të vendosë masë sigurie për hajdutin dhe të bllokojë ekzekutimin e vendimit ekzekutiv. Në të gjithë legjislacionin e botës nuk ekziston, se përndryshe pastaj nuk ka kuptim i gjithë pushteti i gjykatës",- tha Berisha. Gjatë konferencës së djeshme për shtyp, Berisha ka deklaruar se do reformojë gjithë sistemin, por një gjë e tillë është kërkuar edhe nga biznesi, që prej ditës së parë që kjo maxhorancë ka ardhur në pushtet. Sërish, pas tre vitesh qeverisje, gjyqet midis biznesit dhe Administratës Tatimore zgjasin pa fund, duke përkeqësuar në mënyrë të ndjeshme klimën e sipërmarrjes. "Ky është një problem që zgjidhet me reforma dhe jo me moszbatim të vendimit. Vendimin do ta zbatojmë dhe reformën do ta vazhdojmë. Ne do të vazhdojmë reformën sepse nuk mund të pranojmë këtë situatë. Nëse t'i kapesh me kontrabandë dhe gjykata bllokon vendimin e ekzekutivit, kjo do të thotë se pastaj gjykata bën doganierin, bën taksambledhësin, bën ekzekutivin, bën policin, bën shoferin, pra i bën të gjitha. Ka një vendim në kundërthënie të Kolegjin e Gjykatës së Lartë ndaj tij, sepse është në kundërshtim me Kodin Administrativ. Por këto probleme, vendi duhet t'i zgjidhë me reforma, nuk i zgjidh me përballje të pushteteve njëri me tjetrin",- tha Berisha. Deklarata e bërë gjatë ditës së djeshme nga ana e kreut të qeverisë, është vlerësuar si e nxituar nga juristët e pyetur nga gazeta. Sipas vlerësimeve të njerëzve të ligjit, ndërhyrja e ekzekutivit në Gjykatën Kushtetuese vlerësohet si përplasje midis pushteteve që janë të ndara në bazë të Kushtetutës.