E Diel, 1 Nëntor 2026

Bode, gjobat nuk do t'i kthehen biznesit

 

Biznesi: Të gjitha gjobat dhe interesat e paguara parapagim, duhet që të kthehen nga tatimet

Qeveria humbet të drejtën për të mbledhur gjobat apriori nga biznesi pas vendimit të marrë nga ana e Gjykatës Kushtetuese. Por të gjithë bizneset që kanë paguar gjoba në parapagim që prej prillit të vitit 2007, nuk do të kenë mundësi që t'i marrin ato mbrapsht nga ana e Administratës Tatimore. Një fakt i tillë, është bërë i ditur gjatë ditës së djeshme nga ana e ministrit të Financave, Ridvan Bode. "Asnjë ligj nuk ka efekt prapaveprues dhe të gjitha gjobat dhe interesat e parapaguara, që prej hyrjes në fuqi të këtij ligji, nuk do të kthehen", - tha Bode. Ministri i Financave ka mbështetur deklaratat e bëra gjatë ditës së djeshme nga ana e kreut të qeverisë, Berisha, duke i vlerësuar vendimet e gjykatave që bllokojnë vendimet e marra nga ekzekutivi, si të padrejta. "Gjykatat në të gjithë vendin, janë duke marrë vendime që bllokojnë punën e organeve të ndryshme, dhe jo vetëm të qeverisë. Aktualisht, kemi një sërë vendimesh të marra nga ana e gjykatave, që bllokojnë vendimet e marra nga një sërë institucionesh të pavarura, siç është Autoriteti i Konkurrencës, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, etj.", - tha Bode. Kreu i Financave, duke paraqitur edhe vullnetin e qeverisë, ka deklaruar se qeveria është duke kërkuar reforma pikërisht për të bërë të mundur që gjykatave t'u hiqet mundësia për të bllokuar vendimet administrative. "Gjykata mund të bllokojë një vendim administrativ, vetëm kur merr vendimin përfundimtar dhe jo që në fillim të gjykimit të çështjes. Vendime të tilla, nuk mund të hasen në asnjë vend të rajonit apo të botës",- tha Bode.

***

Në kundërshtim me atë çka priste biznesi, ministri i Financave ka bërë të ditur gjatë ditës së djeshme, në emisionin "5 pyetje nga Babaramo" në News 24, se nuk do të kthejë asgjë nga gjobat dhe interesat që janë paguar nga sipërmarrja në parapagim. Të pyetur gjatë ditës së djeshme, përfaqësues të shoqatave të biznesit kanë deklaruar se shpresojnë që qeveria të kthejë gjobat e mbledhura në parapagim gjatë kësaj periudhe, duke i dhënë mundësi reale këtyre sipërmarrjeve që të vazhdojnë aktivitetin e tyre në treg. Penalizimet e vendosura me anë të këtij ligji në shumë raste kanë qenë fatale për biznesin, që është futur në krizë likuiditeti, duke u detyruar edhe të mbyllë aktivitetin. Kryetari i Shoqatës së Hidrokarbureve, Viktor Nushi ka përshëndetur gjatë ditës së djeshme vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe ka deklaruar se tashmë vullneti për kthimin e gjobave të marra apriori nga ana e tatimorëve, do të vendosë dhe një klimë të re bashkëpunimi me këtë administratë. Ndërsa administratori i Konfindustrias, Gjergj Buxhuku ka vlerësuar se kthimi i gjobave nga ana e Administratës Tatimore duhet që të mbështet me ngritjen e Gjykatave Administrative, që do të ndihmojnë në zgjidhjen sa më të shpejtë dhe me pak kosto të gjyqeve që biznesi ka me administratën tatimore.

***

Në Raport-Progresin e Bashkimit Europian për Shqipërinë, një nga pikat më të kritikuara, që është vlerësuar edhe si kthim prapa në Shqipëri, është vendosja e ligjit të gjobave. Bashkimi Europian e ka vlerësuar këtë ligj të ri, si një masë represive dhe tejet të dëmshme për klimën e biznesit në vend. Ligji i mbledhjes së gjobave në parapagim dhe përdorja e tyre si mjet presioni ndaj biznesit, është kritikuar edhe nga ana e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe USAID. Duke qenë një ligj tërësisht në kundërshtim edhe me të drejtat dhe liritë e njeriut, ndër të cilat është edhe e drejta për të dalë për gjykim para një gjykate, drafti është kundërshtuar edhe nga një pjesë e madhe e deputetëve të maxhorancës. Por kryeministri Berisha dhe ministri Bode, kanë mbrojtur ligjin me të vetmin argument, se gjyqet zgjasin me vite në gjykata dhe ky është një fenomen që cenon financat. Rrëzimi nga ana e Gjykatës Kushtetuese të këtij ligji, vë në pikëpyetje kushtetutshmërinë e një sërë ligjesh dhe vendimesh të tjera, që janë marrë kryesisht si masa represive për vendosje çmimesh në treg.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›