E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi-deputetëve të PD: Mos u bëni zvarranikë. Partia e re është opsion i hapur

Share

Kreu i shtetit, gjatë një interviste në NEWS 24, ka komentuar rrëzimin e dekretit të tij për Sali Shehun si kryetar i Kontrollit të Lartë të Shtetit. Ai tha se deputetët e PD nuk duhet të bëhen zvarranikë. Është mirë që gjërat të thuhen hapur, pa deformime. Askush nuk e ka filluar punën si politikan. Secili ka ardhur me një background akademik. Secili vjen me këmbët e veta në politikë, ndryshe mund të dalësh si zvarranik ose do të lënë të zvarritesh deri në fund. Sot është momenti që njerëzit që merren me politikë të dalin prej saj ashtu siç janë. Ata që mund të dredhin bishtin, mund të jetojnë gjatë në politikë, tha Topi.

I pyetur për klimën e acaruar mes tij e Berishës, presidenti tha se nuk e di ende profilin e saj. Edhe sot nuk e kam marrë vesh profilin e kësaj klime të krijuar. Dikush duhet ta thotë. Madje gjatë karrierës sime akademike dhe politike nuk mund të thotë njeri se kam fyer dikë. Se kam bërë asnjëherë as në debate në parlament. Jam i përqendruar për të dhënë argumentin sepse debati bëhet për shoqërinë dhe është i domosdoshëm sepse do të rikthehen prapë tek qytetarët për të marrë votën, tha presidenti.

Në fund të intervistës, kreu i shtetit deklaroi se është i hapur për krijimin e një partie të re. Nëse jam atraktiv, do të krijoj parti të re. Kam qenë i hapur dhe do vazhdoj të jem i hapur, dhe pastaj të gjitha opsionet janë të hapura sipas aftësive, sipas mundësive. Por tani ushtroj detyrën e presidentit. Nuk është institucion partiak.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›