Topi dërgon Topallin në Gjykatën Kushtetuese
Presidenti i Republikës, Bamir Topi do të padisë në fillim të kësaj jave Kuvendin e Shqipërisë në Gjykatën Kushtetuese për interpretimin e katër dekreteve që mbahen peng prej një viti. Përmes një kërkesë-padie, Presidenca do të kërkojë nga gjykata interpretimin e Kushtetutës dhe veprimeve të Kuvendit.
Burime nga institucioni i presidencës bëjnë të ditur për gazetën Shekulli se do të dorëzojnë një kërkesë në Gjykatës Kushtetuese, për të vënë në lëvizje këtë të fundit mbi ngërçin e krijuar për zëvendësimin e anëtarëve të po kësaj gjykate. Të njëjtat burime sqarojnë se megjithëse në vendimin e Kushtetueses për zëvendësimin e 1/3 të anëtarëve theksohet qartë se çfarë duhet bërë me kandidaturat, Kuvendi nuk ka ndërmarrë asnjë hap për hapjen e rrugës mbi emërimin e tre anëtarëve të rinj. Në këto kushte, Presidenca do ti kërkojë Gjykatës Kushtetuese që të zgjidhë jo vetëm ngërçin e krijuar midis Presidencës dhe Kuvendit, por edhe të urdhërojë këtë fundit që të vihet në lëvizje për respektuar nenin 125 të Kushtetutës.
Padia që është përgatitur tashmë nga institucioni që drejtohet nga Bamir Topi, do të mbështetet në vendimin e dhënë nga Gjykata Kushtetuese për interpretimin e nenit 125 pika 3 të dokumentit themeltar të shtetit. Gjithashtu, kërkesa për vënien në lëvizje të Gjykatës Kushtetuese do të bazohet në bllokimin e procesit që do të mundësonte ripërtëritjen e 3 anëtarëve nga 9 të kësaj gjykate një herë në tre vjet. Megjithëse mandati i tre anëtarëve mbaroi në muajin maj të vitit 2010, Admir Thanza, Petrit Plloçi dhe Xhezair Zaganjori, vazhdojnë të qëndrojnë në detyrë. Mungesa e zëvendësimit të tyre ka ardhur si pasojë e përplasjes Kuvend Presidencë. Për të shmangur anësinë e Gjykatës Kushtetuese, ligjvënësi ka parashikuar në dokumentin themeltar të shtetit që përbërja e Gjykatës Kushtetuese përtërihet çdo tre vjet në një të tretën e saj sipas procedurës së caktuar me lig. Në zbatimin e nenit për zëvendësimin e anëtarëve është Kuvendi institucioni që ka penguar zbatimin e Kushtetutës.
Krahas bllokimit të procesit, mazhoranca ka thyer sërish vendimin e formës së prerë të Gjykatës Kushtetuese, e cila vlerëson se parashikimi i nenit 125/3 të Kushtetutës përbën një parim organizativ, i bazuar në veçoritë specifike të procesit kushtetues dhe që ka për qëllim ruajtjen në përbërje të Gjykatës Kushtetuese të një shumice prej dy të tretave të anëtarëve në detyrë, duke bërë të mundur krijimin e një përvoje juridike të posaçme në fushën e gjykimit kushtetues. Kjo përvojë e përftuar nga Gjykata, duke qenë se ka një ndikim të drejtpërdrejtë në cilësinë e vendimmarrjes së saj, konsiderohet një vlerë e mbrojtur nga Kushtetuta. Gjetja dhe zbatimi i një mekanizmi të përshtatshëm, për të respektuar nenin 125/3 të Kushtetutës, është kompetencë e ligjvënësit kushtetues, – udhëzon organi kushtetues. Edhe pas këtij vendimi mazhoranca nuk ka lëvizur nga qëndrimi i saj.
Bllokimi që shtyn zëvendësimet
Mazhoranca e cila vendos axhendën e punimeve të parlamentit përmes shumicës që ka në të gjitha komisionet dhe drejtimin e Kuvendit, ka penguar procesin e zëvendësimit të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Megjithëse kjo e fundit është shprehur me një vendim që Kuvendi të mundësojë zbatimin e ligjit, parlamenti vijon të bllokojë procesin, duke shtyrë në këtë mënyrë zëvendësimin e gjyqtarëve.
Kuvendi zgjat me 3 vjet mandatin anëtarëve të Kushtetueses
Kuvendi i Shqipërisë thyen Kushtetutën duke mos kaluar në votim emrat e propozuar prej kohesh nga Presidenti i Republikës për zëvendësimin e tre anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Këtyre të fundit iu është shtuar mandati në mënyrë indirekte me tre vite të tjera, duke shtyrë procedurën e zëvendësimit në vitin 2013, si pasojë e mos ndjekjes së procedurave të parashikuara në Kushtetutë për zëvendësimin e anëtarëve të kësaj gjykate.
Bllokimi i kandidaturave të Presidentit të Republikës është bërë nga Kuvendi duke mos marrë në shqyrtim emrat e paraqitur. Emrat janë dërguar në fillim të muajit shtator 2010, për tiu nënshtruar shqyrtimit në Komisionin e Ligjeve dhe më pas për tu votuar në parlament, por demokratët kanë penguar ecurinë e procesit. Po në këtë muaj, një e pesta e deputetëve të Partisë Demokratike ka vënë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese për të interpretuar nenet që kanë të bëjnë me zëvendësimin e anëtarëve të Kushtetueses dhe të Gjykatës së Lartë.
Shqyrtimi i kësaj kërkesa nga ana e mazhorancës solli dhe pezullimin e procedurave për zëvendësimin e anëtarëve të Kushtetueses nga parlamenti. Në përfundim të këtij procesi, gjykata shprehu mendimin se i takon Kuvendit të Shqipërisë që të gjejë dhe të zbatojë mekanizmin e përshtatshëm për të respektuar nenin 125 pika 3, në të cilën thuhet se përbërja e Gjykatës Kushtetuese përtërihet çdo tre vjet në një të tretën e saj sipas procedurës së caktuar me ligj. Megjithëse ky vendim është botuar në Fletoren Zyrtare, i cili është përfundimtar dhe i formës së prerë, sugjerimet e tij ende nuk kanë gjetur zbatimin e Kuvendit të Shqipërisë, duke lënë në vendnumëro zëvendësimin e anëtarëve.
Përpara kësaj përplasje, deputetët e kësaj mazhorance kanë kthyer edhe herë të tjera dekretet e Presidentit të Republikës për anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, të cilët janë hedhur në votim dhe nuk kanë gjetur mbështetjen e Partisë Demokratike. Përplasja me Presidentin Topi kaloi në një situatë të re, kur juristët demokratë kanë futur në rendin e ditës një projekt-vendim, në seancën plenare të 23 qershorit 2011, përmes të cilit kthehen mbrapsht të 3 dekretet e Presidentit. Kalimi i kësaj nisme të mazhorancës është kaluar pa debat, duke përfituar edhe nga mungesa e opozitës në punimet e Kuvendit. Sipas deputetëve të mazhorancës, Gjykata Kushtetuese nuk mundet që të miratojë tre anëtarë në më pak se tre vjet.
Nga 9 anëtarët e Gjykatës Kushtetuese duhet që të zëvendësohen në çdo tre vjet. Dokumenti themeltar shtetit parashikon një lëvizje të tillë për të mundësuar një paanësi të një organi shumë të rëndësishëm kushtetues. Megjithëse emrat janë paraqitur nga Presidenti i Republikës që në shtator të vitit të kaluar, Kuvendi i Shqipërisë nuk i hedhur në votim, por i ka kthyer mbrapsht.
Kuvendi, përzgjedhje selektive
Në muajin shtator të vitit 2010, Presidenti i Republikës, Bamir Topi, propozoi 4 emra për zëvendësimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese: Artan Hoxha, Fatmir Hoxha, Ardian Leka dhe Elvira Jorgaqi. Megjithëse PD vendosi që ti kthente dekretet me një projekt-vendim, mazhoranca bëri përjashtim vetëm për një emër, Fatmir Hoxha. Ky i fundit u përzgjodh nga mazhoranca në mënyrë selektive.
Çfarë parashikohet në Kushtetutë për zëvendësimin e anëtarëve
Pjesa e tetë / Gjykata Kushtetuese
Neni 125
1. Gjykata Kushtetuese përbëhet nga 9 anëtarë, të cilët emërohen nga Presidenti i Republikës me pëlqimin e Kuvendit.
2. Gjyqtarët emërohen për 9 vjet, pa të drejtë riemërimi, nga radhët e juristëve me kualifikim të lartë dhe me përvojë pune jo më pak se 15 vjet në profesion.
3. Përbërja e Gjykatës Kushtetuese përtërihet çdo tre vjet në një të tretën e saj sipas procedurës së caktuar me ligj.
4. Kryetari i Gjykatës Kushtetuese emërohet nga radhët e anëtarëve të saj nga Presidenti i Republikës, me pëlqimin e Kuvendit, për një periudhë prej 3 vjetësh.
5. Gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese vazhdon në detyrë deri në emërimin e pasardhësit të tij.
Interpretimin i nenit 125/3 sipas Gjykatës Kushtetuese
1. Parashikimi i nenit 125/3 të Kushtetutës përbën një parim orga
